Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka vendosur për herë të parë të kundërshtojë pushtetin, duke dalë kundër mundësisë së mbylljes së xhamive nëpër Kosovë.
Tërnava ka thënë se është vendosur që nëpër secilën xhami në Kosovë të mos lejohen të falen më shumë se 50 persona, të mbajnë distancën fizike, të marrin me vete sexhadet dhe të ndalohet falja në xhami për ata që janë të sëmurë kronikë, që kanë më shumë se 65 vjeç dhe ata që janë nën 16 vjeç.
“Ftojmë institucionet kompetente të vendit të mos të nguten në marrjen e vendimit për mbylljen e objekteve fetare në këtë rast xhamivë”, ka thënë Tërnava, në një adresim publik.
“Ftojmë besimtarët të respektojnë në përpikëri të gjitha vendimet e dala nga Kryesia e Bashkësisë Islame”, ka shtuar ai./Express/
Fjalimi i plotë i Kryetarit të BIK-ut, Myftiut Naim ef. Tërnava
Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot me 12.07.2020 duke u nisur nga parimi islam se ruajtja e shëndetit dhe mbrojtja e jetës së njeriut është nga objektivat kryesore të fesë islame dhe duke vlerësuar gjendjen e rritjes enorme të të infektuarve nga virusi “Covid – 19” në vendin tonë, pas diskutimeve mori këto vendime:
Pezullimin e të gjitha aktiviteteve fetare në të gjitha xhamitë e Kosovës, sikur janë ligjëratat e tribunat fetare,
Pezullimin e mësimbesimit dhe shkollës verore nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës,
Obligohen Imamët të kujdesen për mbajtjen e distancës fizike të besimtarëve brenda xhamive,
Kufizimin e faljes në ambiente të mbyllura të xhamisë, jo më shumë se 50 persona,
Shenjëzimin e vendfaljeve brenda xhamive për shkak të distancës,
Pezullimin e manifestimeve fetare,
Ndalimin e pjesëmarrjes së imamëve në të pame ,
Shkurtimin e hytbes së xhumasë në 10 minuta,
Falja e xhumasë nga dy herë në xhamitë qendrore sipas nevojës
Besimtarët obligohen që:
Të mbajnë maska gjatë faljes në xhami,
Të përdorin sexhadet e tyre personale,
Të përdorin dezifenktuesit me rastin e ardhjes në xhami
Të moshuarit mbi moshën 65 vjeçare të falen në shtëpi,
Të rinjtë nën moshën 16 vjeçare të falen në shtëpi,
Të sëmurit me sëmundje kronike të falen në shtëpi,
Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës sikur edhe deri më tani është e përkushtuar të bashkëpunoj ngushtë me të gjitha institucionet kompetente të vendit për të ruajtur shëndetin publik të qytetarëve, por njëkohësisht ftojmë institucionet kompetente të vendit të mos të nguten në marrjen e vendimit për mbylljen e objekteve fetare, në këtë rast xhamive, sepse konsiderojmë se vendimet dhe masat e marra nga ne janë të mjaftueshme për luftimin e pandemisë në këtë fazë.
Poashtu ftojmë besimtarët që t’i përmbahen në përpikëri të gjitha vendimeve dhe rekomandimeve të dala nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.
Falënderojmë të gjithë besimtarët për mirëkuptimin dhe kontributin e tyre në përballje me pandeminë dhe ruajtjen e shëndetit .
Lusim Zotin Fuqiplotë që me mëshirën e Tij të pakufishme sa më parë të largoj këtë epidemi nga mesi jonë dhe bota mbarë të jetojë në paqe e qetësi.