Prishtinë, 11 korrik 2020 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj se diskursi thellësisht përçarës politik brenda institucioneve dhe jashtë tyre pengon arritjen e konsensusit nacional dhe tejkalimin e vështirësive të krijuara pas shpërthimit të pandemisë COVID19, thuhet në njoftimin e OEAK-ut.
Dialogu konstruktiv ndërmjet hisedarëve politikë në rend të parë nuk ka alternativë, për shkak të nevojës për menaxhimin e pandemisë COVID19 si dhe të gjitha pasojave të shkaktuara nga ajo në aspektin shëndetësor, si dhe atë ekonomik e social.
Vonesat e mëtejme në aprovimin e ndryshimeve të kornizës buxhetore por edhe të marrëveshjeve financiare ndërkombëtare do të vonojnë disbursimin e mjeteve të zotuara në ndihmë të ndërmarrjeve dhe punonjësve të sektorit privat, që janë shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit.
Oda Amerikane beson fuqishëm se temat e natyrës populiste dhe lufta e padinjitetshme politike në këtë fazë do të rrënojnë prospektet e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë COVID19, ndërsa në vend të përpjekjeve të gjithëmbarshme për përmirësimin e imazhit të vendit dhe rezonimin e stabilitetit, partitë politike me diskursin konfliktnxitës po rëndojnë më tej imazhin jo të mirë të cilin e gëzon Kosova.
Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se muajt në vijim do të shpërfaqin pasojat reale në aspektin ekonomik e social, për shkak të mbijetesës së vështirësuar të një numri të ndërmarrjeve, kryesisht të vogla dhe të mesme, të cilat janë burimi më i rëndësishëm i vendeve edhe ashtu të pakta të punës për qytetarët e Kosovës.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane fton edhe një herë ligjvënësit e vendit që të tejkalojnë mospajtimet partiake dhe të vihen në shërbim të qytetarëve dhe ndërmarrjeve, duke i hapur rrugë zhvillimit ekonomik, ruajtjes së vendeve të punës dhe progresit aq shumë të nevojshëm.