Trajneri i njohur kosovar, Arbnor Morina, dhe ish-futbollisti i njohur, Xhevdet Llumnica, e kanë lavdëruar trajnerin e Ballkanit, Ismet Munishin, duke thënë se ai e bën më interesant Superligën e Kosovës.
Ismet Munishi dhe skuadra e tij, Ballkani, kanë qenë protagonistë të këtij sezoni të Superligës dhe Kupës së Kosovës – duke arritur ta mbajnë kreun e tabelës për pjesën më të madhe të sezonit, përkundër që tani radhiten në pozitën e tretë, dhe duke arritur në finale të Kupës, transmeton Gazeta Express.
Sukseset e Ballkanit këtë sezon i kanë përcjellë deklaratat e shumta të trajnerit Munishi, i cili së fundi tha se skuadra e tij po bën luftë të vërtetë, përderisa kundërshtarët e tij po luajnë ndeshje miqësore.
Deklaratat e tilla të Munishit – i cili e mori Ballkanin verën e kaluar si një skuadër që po luftonte për mbijetesë dhe e ndihmoi të bëhet kandidat për titull – janë të mirëpritura nga trajneri i njohur dhe drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina.
“Ismeti i thotë këto gjëra për ta bërë më interesant. Ne që e njohim Ismetin prej fëmijërisë, e dimë që Ismeti është një djalë shumë i çelur, i cili ka qejf të bëjë hajgare dhe e bën një atmosferë të këndshme”, ka thënë Morina në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Pjesa e fundit e kampionatit është me shumë tensione. Të gjithë janë të mërrolur sepse s’e dinë çfarë po ndodh me ekipet e tyre, lojtarët dhe trajnerët janë në presion se si t’i fitojnë ndeshjet. Të gjithë janë në një atmosferë më të tendosur, Ismeti është i vetmi që po del dhe po bën edhe “show mediatik”, që i shkon përshtati edhe Superligës sepse ka trajnerë të tillë në botë”.
Të njëjtin mendim me Morinën e ndan edhe ish-futbollisti i famshëm kosovar, Xhevdet Llumnica.
“Ismeti i ka dhënë shumë ngjyra kampionatit. Është mirë që ai është inkuadruar si trajner në futbollin e Kosovës. Edhe kjo i takon sportit të futbollit”, ka thënë Llumnica.