Shkruan Rajmonda Maleçka
Për pjesën më të madhe të ngjarjeve në trojet shqiptare, veçmas në Kosovë, jo vetëm opinionit politik, historik, por dhe atij bashkëkohorë diplomatik, i duhet patjetër t’i kthehet historisë së mbijetesës shqiptare që nga hershmëria deri në ditët tonë. Në këtë këndvështrim të thellë, i cili është dhe një lloj thirrjeje, se shqiptarëve iu duhet ta njohin historinë e tyre, dhe atëherë kur perëndimi i sotëm i zhvilluar përpiqej të krijonte sistemet e qëndrueshme brenda vetes, rendet politike, që motshëm shqiptarët janë përballur me mbijetesën e tyre. Në ato kohë popujt ishin të shtrënguar të vetëmbroheshin, pa iu nënshtruar dhe pa iu kërkuar kononeve (kanuneve) të gjerësishme, siç sot kemi organizmat ndërkombëtare.
Dhe historia e tyre, e shqiptarëve, vijo të ishte e shtrënguar në përplaset me perandoritë gjakatare të ardhura nga Lindja, por dhe perandori të ardhura nga perëndimi. Në të gjithë këtë shtegtim të lashtë, i pakëputur (ndoshta trojet shqiptare dhe populli shqiptar është njëri më i vetmi, i cili është prekur nga të gjithë luftërat ballkanike dhe luftërat kontinentale) një nga gjërat e shenjta të tyre ka qenë dhe ka mbetur lufta për mbrojtjen e trojeve dhe idealiteti i lirisë. Këtë argument të lashtë, në forma primitive dhe të mëvonshme të shpirtit popullorë, e gjejmë të referuar në të gjithë kulturën popullore shqiptare, e cila është një regjistër i rëndësishëm për këto çështje.
Të njohur si një popull heroik, dhe pse periudha e Motit të Madh ngjan më e lavdishmja, më heroikja dhe më shkëlqimtarja, pasi figura e Skënderbeut ka hyrë në të gjithë historitë dhe referencat qytetëruese të perëndimit si një mbrojtës i qytetërimit perëndimorë, por dhe duke qenë modeli i një luftëtari bashkëkohorë dhe modern gjithashtu, në historinë e luftërave të shqiptarëve, janë shquar heronjtë. Bato, Skënderbeu, Is Boletini, Hasan Prishtina, Dedë Gjon Luli, Ali Pashë Gucia, pra nëpër të gjithë periudhat historike kanë përbërë një mënyrë interesante të sjelljes së shqiptarëve ndaj armiqve të tyre dhe mbledhja e tyre rreth luftëtarëve të shquar. Në luftën e fundit të shqiptarëve, atë të UÇK-së me armikun e njohur genocidal dhe militarë sllav, luftëtarët e kësaj ushtrie u mblodhën rreth idealit që la për ta Adem Jashari, një luftëtar tipik, në personin e të cilit ishte përqendruar e gjithë tradita më e mirë luftarake shqiptare që nga kohët e hershme. Pra ideja enjë lloj tribuni.
Lidhja e shqiptarëve me figura të tilla ka qenë vërtetë funksionale dhe vepruese, çka ka arritur të krijojë një ndjenjë kolektive solidariteti, për tu përfshirë në luftë, me ndjenjën e ruajtjes së territoreve tkësore dhe atë të lirisë, si një kult i lashtë në ndërgjegjen e tyre.
Po ashtu, kohët o vijnë të vërtetojnë një gjeopolitkë dhe nje gjeostrategjik të lashtë, se trualli i shqiptarëve vijon të mbetet një terren i përfshirë në përplasjet e dy botëve jo vetëm të kontinentit, por dhe të gjeostrategjisë globale për Ballkanin, atë të ekspansionit lindorë nga njëra anë dhe ruajtjen e statusquove nga perëndimi.
Siç thamë, në pjesën më të gjatë të historisë së mbijetesës së shqiptarëve në trojet e tyre, pavarësisht rrudhjes së terrenit të lashtë ilir apo dhe arbnorë, të kohës së Skënderbeut, shqiptarët kanë qenë të shtrënguar të luftojnë vetëm, pa aleanca të njohura në ruajtjen e terrenit dhe kulturës etnike të tyre. Momenti i parë ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një nga ngjarjet më të rëndësishme politike, mbi projektin, veprimtarinë dhe ideologjinë politike të së cilës u shpall Pavarësia, ku shqiptarët kombëtarisht krijuan një nga dakordësitë politike ë të rëndësishme kombëtare, me ç’rast iu ekspozuan ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha Perëndimore, të cilat e cunguan, e sakatuan dhe ushqyen bollshëm nacional- shovinizmin ballkanik me trojet dhe pasuritë e mëdha shqiptare.
Në këtë “projeksion” të gjatë historik, projekti i copëtimit të trojeve shqiptare nga njëra anë dhe rezistenca e shqiptarëve përballë kësaj tragjedia në anën tjetër, për gati një shekull e më tepër i ka ekspozuar shqiptarët me ndjenjën e atdheut dhe të lirisë brenda tyre, në përplasjet e vazhdueshme me mëtonjësit e tyre që nga Kongresi i Berlinit e në vazhdim.
Motivi dhe arsye për këtë opinion, lidhet me zhvillime të befasishme, madje dramatike me klasën udhëheqëse politike të Kosovës, e cila përbën kolonën tradicionale historike dhe bashkëkohore, e dalë nga lufta, e cila për gati 20 vite e kanë çuar shtetin e Kosovës në nivelet më të rëndësishme të organizmave dhe forumeve ndërkombëtare. Dy eksponentët e njohur të UÇK, z. Hashim Thaçi (sot presidenti i vendit) dhe z. Kadri Veseli (ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, sot kryetari i PDK), akuzohen për krime lufte, në një nga momentet më të rëndësishme të Kosovës, në raport me “aksionin” politik ndërkombëtar, veçmas të Shtëpisë së Bardhë, lidhur me marrëdhëniet dhe bisedimet e rangut më të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë rast ka një pyetje të thjeshtë: Pse pikërisht në këto momente?
Thirrja e dy eksponentëve të njohur të UÇK-së, përbën një nga momentet më delikate, që pas luftës së vitit 1999 Kosovës i shfaqet në rrugëtimin e saj shtetërorë, për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe faktor stabiliteti në Ballkanin e trazuar historikisht. Është një pengesë e trumbetuar që në momentin e parë kur SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme të Evropës Perëndimore e njohën Kosovën shtet të pavarur dhe me perspektivën e rëndësishme për tu bërë pjesë e familjes evropiane. Nacional- shovinizmi ballkanik, i hapur, i lobuar, i fshehur dhe i kamufluar dhe brenda opinionit shqiptar, që ditën e parë kur kryeministri Hashim Thaçi lexoi Aktin e Pavarësisë, kishte njoftuar një luftë të gjithanshme për ta suspenduar atë.
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ashtu si dhe qindra e mijëra luftëtarë të lirisë, që në ditën e parë të lirisë iu vunë në shërbim shtetit të ri. Përballë një beteje emancipuese, ndërkohë tymi i luftës, i vdekjeve të tmerrshme, kujtimet mbi dhunimet e pashembullta mbi popullsinë e pambrojtur ishin të freskëta, këta luftëtarë iu vunë në shërbim atdheut, ndërtimit të tij që nga themelet, çfarë tregoi se historia e Kosovës dhe në kohë paqeje lidhej dhe vazhdon të lidhet me emrat e luftëtarëve të sipërpërmendur.
Në traditën e tyre, shqiptarët kanë një lidhje të fortë me heronjtë e tyre, me luftëtarët dhe udhëheqësit e tyre. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk iu shmangën kohës së vështirë që vinte në kohën e paqes. Ata e dinin mjaft mirë se kundërshtarët e shtetit të Kosovës do të godisnin aty ku krijohej më shumë dhimbje. Ish presidenti i SHBA-ve, lideri i paqes në botë, Bll Klintoni, në një nga fjalimet e famshme pas çlirimit të Kosovës, i qe drejtuar kështu popullit dhe klasës politike të Kosovës: “Ne luftën, ju paqen!”, çka kujtonte se procesi i paqes do të ishte mjaft i vështirë për ta në një kontekst të njohur historik dhe bashkëkohorë të nacional shovinizmit ballkanik dhe atë evropian. Kohët treguan se ai nacional- shovinizëm është në veprim.
Konkretisht, pavarësia e Kosovës lidhet me luftën që UÇK bëri në një front të gjerësishëm tokësorë kundër pushtuesit serb, i cili kishte shtrirë forcat militare dhe ushtarake të tij në të gjithë hapësirën tokësore të Kosovës. Pra, në një periudhë dy vjeçare, që kur UÇK-ja doli në skenën e zhvillimeve ushtarake dhe politike në trojet dardane, ajo qe faktori dominues politik dhe ushtarak rreth të cilës populli i Kosovës, djemtë dhe vajzat, emigrantët dhe atdhetarë të tjerë të trojeve shqiptare, u mblodhën rreth. UÇK-ja, shembullin e të cilës e paraprinin Jasharët, qe organizmi ushtarak dhe politik, i cili jo vetëm qe dalazot vendit, por në veprimtarinë e saj u mishëruan tiparet më të rëndësishme dhe më qenësore të traditës luftarake të shqiptarëve, burimet historike për të cilët janë të shumta.
Meqenëse çlirimi i Kosovës dhe liria e shqiptarëve lidhet fort me luftën dhe me UÇK-në, historia e saj është dhe pengesa më e madhe dhe më e pazhbëshme e armiqve të Kosovës, që pas ditës së parë të çlirimit të saj. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë dy figurat emblematike të luftës, dy figurat që e kanë vijuar rrugëtimin e tyre nëpër gjithë rrugëtimin e Kosovës deri në ditët tona, duke ia pamundësuar kthimin pas të këtij rrugëtimi.
Pse goditen pikërisht këto dy figura të rëndësishme të luftës dhe të paqes në një moment delikat, i cili me të drejtë është konsideruar dramatik nga opinioni vendas dhe ai ndërkombëtar? Pse termi “krime lufte” e rëndon akuzën mbi dy luftëtarët e njohur të UÇK-së? Pse akuza e vonuar shpallet vetëm tri ditë para se takimi i Uashingtonit, në nivelin e moskthimit pas, pritej të jepte rrugëtimin e qartë të Kosovës, për të ndarë njëherë e mirë angazhimin nacional shovinist nga një veprimtari e përditshme dhe e kahdoshme lidhur me shtetin e Kosovës?
Leximi vertikal dhe ai horizontal i një ndërmarrje të tillë, kryesisht nga një front i gjerë, i hapur dhe i nëndheshëm, me një protagonizëm të njohur sllavo- serb, me lidhje të forta tradicionale ruse e gjetkë në ndonjë vend të Evropës Perëndimore, të çon tek lufta e fundit e viteve 1998-1999, që shqiptarët bënë dhe me mbështetjen e forcës ushtarake të NATO-s, në një dakordësi ndërkombëtare, për çlirimin e vendit.
Sado të akuzohet Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo ndonjë tjetër, nuk do të kishte vlerë për këdo kundërshtarë të Kosovës dhe të shqiptarëve, për shtetin e tyre, po të mos goditej kryesisht UÇK-ja, pra lufta, dhe jo vetëm lufta e fundit, por gjithë historia e luftërave, që nga kohët më të hershme e deri më sot. Goditja e UÇK-së, dënimi i krye-luftëtarëve të saj, do të ishte goditja e rëndë, jo vetëm e historisë, por do të goditej vetë ekzistenca e lirisë, vetë shteti i Kosovës, i cili është ngritur mbi gjakun e të rënëve, do të goditej sakrifica madhore e një populli,i cili dha djemtë dhe njerëzit më vital në këtë luftë.
Askush të mos mendojë se nacional- shovinizmi, strukturat aktive, që janë vënë në shërbim të armiqve të Kosovës dhe të shqiptarëve e kanë vetëm me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, jo, e kanë me luftën e drejtë, me luftën për mbiekzistencë, që shqiptarët bënë dhe në vitin 1999. Tendenca për ta errësuar këtë luftë, përbën rrezikun e qartë për ta çuar vendin në pikën zero në pikëpamjen politike dhe atë diplomatike.
Nëse do t’i kthehemi pas meditimit historik, gjë që lidhet me përplasjet e opinioneve historike mes shqiptarëve dhe sllavëve, gjatë këtyre momenteve të vështira, ka një përputhje të habitshme që historiografia nacional- shoviniste sllave ka referuar kundër shqiptarëve, lidhur me fenomenin e luftës. Duke mos sulmuar asnjë vend tjetër, duke mos bërë asnjë luftë pushtuese, duke mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre, duke kundërshtuar dhunën dhe barbarinë, shqiptarët janë etiketuar si luftënxitës, si armiqtë e paqes në gadishullin më problematik të Evropës.
Por, sot, jo vetëm në sytë dhe mendjet e gjithë ish luftëtarëve të UÇK-së, por gjithë opinionit mbarë-shqiptarë, atë ndërkombëtar, këto momente delikate janë pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt së ardhmes. Drita e diellit nuk mbulohet dot me shoshë, sado e madhe të jetë shosha. Luftëtarët nderohen nga shqiptarët. Trimat nderohen nga shqiptarët. Diplomacitë e mbrapshta dhe strukturat nacional- shoviniste, gjasme bashkëkohore, qoftë dhe në disa shtetet të Perëndimit, nuk mund ta rrënojnë unitetin më të madh të të gjithë kohërave që UÇK-ja arriti gjatë luftës për çlirimin e vendit.
Në luftë shkohet për të luftuar, për tu vrarë dhe për të fituar lirinë, kur ajo është luftë çlirimtare dhe jo pushtuese. Këtë të vërtetë nuk do të mund ta mohojë askush, asnjë gjykatë apo prokurori, asnjë eurodeputet apo shtet, qoftë dhe perandoria e lindjes, e cila e ka ushqyer vazhdimisht me helm Balkanin. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe gjithë luftëtarët e tjerë do të nderohen dhe do të kenë një popull pas vetes, se luftëtarët ndiqen pas nga shqiptarët që nga historia e hershme e tyre.
Liria e një populli në këto raste merr një shkëlqim të madh, sepse ajo nuk burgoset kurrë. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë personifikimi i lirisë. Koha do ta vërtetojë. Askush nuk do të mundë t’i ndajë shqiptarët nga historia e tyre, pasi ajo ka qenë dhe mbetet një nga udhërrëfyesit e mbijetesës dhe të vërtetave të mëdha.
Nuk shkulet lavdia e UÇK-së nga zemrat e shqiptarëve, se bashkë me të shkulet dhe vetë zemra e tyre. Gjaku i derdhur i mijëra luftëtarëve nuk “korrigjohet” nga kalemxhinjtë e kohërave të vona.
Tiranë- Prishtinë, korrik 2020