Gjermania mund ta vendosë në agjendë liberalizimin e vizave nëse ka shumicë të kualifikuar

E publikuar: 30/06/2020 12:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian e përfundon të martën në mesnatë Kroacia ndërsa nga nesër do t’i takojë Gjermanisë. Presidenca Gjermane do ta ketë prioritet kryesor miratimin e Kornizës shumëvjeçare financiare dhe fondit për përballje me pasojat e pandemisë.

Por, sipas një diplomanti të lartë gjerman, në rend dite do të ketë edhe tema tjera.

Disa deputetë të Parlamentit Evropian i kanë shkruar kancelares gjermane që gjatë kryesimit të tyre me BE-në të vendosin në rend dite edhe liberalizimin e vizave për Kosovën pasi, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.

Një diplomat i lartë gjerman u ka thënë gazetarëve se për liberalizimin e vizave kërkohet një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së dhe se, nëse Gjermania vlerëson se ekziston një shumicë e tillë, atëherë do ta vendosë në rend dite.

“Nëse e shohim se nuk ka shumicë të kualifikuar atëherë do të vazhdojmë të punojmë prapa skenës”, ka thënë ky diplomat gjerman.

Cramon-Taubadel: Pyesni Macronin pse ngurron që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën

Zyrtarë të lartë gjermanë janë shprehur publikisht në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Por, Franca, Holanda dhe disa shtete tjera të BE-së nuk e kanë mbështetur deri më tash një vendim të tillë.

Pos liberalizimit të vizave Gjermania dëshiron që gjatë kryesimit të saj me BE-në të avancojë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Vendet skeptike të BE-së, pengesë për liberalizimin e vizave
“Ka ardhur koha që të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim gjatë këtij viti. BE-ja është e gatshme të luajë​ rolin e saj në lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje në mënyrë që të ketë progres edhe në procesin e integrimeve evropiane”, ka thënë një diplomat i lartë gjerman.

Gjermania do të tentojë që gjatë presidencës së saj të BE-së të nisë edhe negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Por diplomati i lartë gjerman tërhoqi vërejtjen se në këtë drejtim nuk mund të ketë garanci. Ai tha se do të jetë më lehtë në rastin e Maqedonisë së Veriut sesa Shqipërisë, por Gjermania do të tentojë ta avansojë edhe këtë temë.

Për secilin hap në procesin e zgjerimit, vendimet miratohen me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare. /rel/