Loris Karius është lojtari i vetëm të cilin Jurgen Klopp nuk ia ka dalë ta përmirësojë në Liverpool deri tani, thotë Mark Lawrenson, i cili i ka fituar pesë tituj lige me të kuqtë në kohën e tij si futbollist.
Trajneri gjerman u emërua në postin e Liverpoolit në tetor të vitit 2015, me shpresën se do t’i ndiqte hapat e disa prej trajnerëve legjendarë të klubit, transmeton Front Online.
Liverpooli ka qenë në kërkim dëshpërues të titullit në ligë në 30 vjetët e fundit. Kjo pritje e madhe dhe e dhimbshme mbaroi falë gjermanit. Klopp ia siguroi titullin e parë në epokën e Premierligës dhe të 19-n në histori të klubit këtë sezon.
Pasi e humbi titullin sezonin e kaluar për vetëm një pikë në garë me City, skuadra e Jurgen Kloppit e mbizotëroi ligën elitare angleze këtë sezon, duke e fituar titullin me në mënyrë rekorde, shtatë ndeshje pa përfunduar kampionati, duke i fituar 28 prej 31 ndeshjeve të luajtura deri tani.
Përveç Premierligës, nën udhëheqjen e Kloppit të kuqtë kanë fituar tituj të mëdhenj edhe si Ligën e Kampionëve, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube.
Gjatë këtyre pesë vjetëve, në Liverpool kanë lulëzuar blerjet e shtrenjta, por edhe ata që ishin rritur në klub, siç është shembulli i kapitenit Jordan Henderson.
Por jo edhe Kariusin, i cili e kishte përjetuar një ankth në finalen e Ligës së Kampionëve, të cilën Liverpooli e humbi kryekëput për shkak të dy gabimeve të tij amatore, tejet trashanike.
“Kur Jurgen Klopp erdhi në klub, u vërejt një ndryshim i madh. Brenda pak muajve ke mundur ta dish se kjo ishte diçka krejt ndryshe”, tha Lawrenson.
“Ai i ka përmirësuar të gjithë lojtarët e vet. Karius është lojtari i vetëm që s’e ka përmirësuar, por i ka përmirësuar të gjithë të tjerët”, shtoi ai. /Front Online/