Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Vuçiq ka thënë se me Putinin ka folur për të gjitha idetë dhe mënyrat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Siç raporton Radiotelevizioni i Serbisë, presidenti rus ka konfirmuar se në tetor do të vizitojë Serbinë.
Takimi është zhvilluar në Moskë, ku presidenti serb po qëndron në vizitë dyditore. Vuçiq citohet të ketë thënë se ka pasur bisedë shumë të mirë për të gjitha çështjet politike, para së gjithash për Kosovën dhe situatën e përgjithshme në regjion dhe në botë. Gjatë këtij takimi, presidenti serb ka htënë se nga Putini ka dëgjuar analiza të mira dhe këshilla të caktuara.
“Kemi folur për të gjitha idetë dhe mënyrat për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nëse mund të them këtë, Putin në një mënyrë të mençur ka shfaqur mendimin e tij, para së gjithash duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Putini është shumë i mençur dhe i madh që të bëjë diçka direkt. Por në mënyrë të mençur di të tregojë qëndrime të caktuara dhe për këtë jam falënderues”, ka thënë Vuçiq pas takimit.



















