Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka dhënë statistikat e fundit rreth gjendjes me COVID-19 në këtë komunë.
Sipas tij është brengosës “fakti që kohëve të fundit gjithnjë e më shumë kemi raste të identifikuara në klinikat infektive, kurse i atyre të identifikuara nga gjurmimet është duke rënë. Kjo po ndodh për shkak se ka kërkesa të mëdha për teste, ndërkaq numri i testeve që po bëhen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për ata që nuk kanë simptome, po zvogëlohet”.
Ne si Komunë e Prizrenit kemi ndërmarrë hapat për mbrojtjen e stafit administrativ, në mënyrë që edhe shërbimet të vazhdojnë pa ndërprerje. Po ashtu kam kërkuar nga Inspektorati Komunal dhe Policia e Kosovës që të monitorojnë implementimin e masave nga ana e bizneseve, ku mbajtja e maskave është obligative”, ka shkruar Haskuka në profilin e tij në Facebook.
Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë koronavirus në Prizren kanë qenë 216 të infektuar, prej të cilëve 117 janë shëruar dhe 5 persona kanë vdekur./GS/

















