Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimit me liderët politikë, tha se është ndjerë i inkurajuar me mbështetjen që deputetët i dhanë qasjes së qeverisë për dialogun me Serbinë. Kryeministri Hoti, tha se takimi i parë formalë me liderët e partive politike, ka qenë “i suksesshëm”.
“Ata i dhanë mbështetje qasjes tonë për dialogun. Jam i inkurajuar me gjithë këtë mbështetje. Ne jemi gati që të ulemi në tavolinë të dialogut, për një qëllim të vetëm, për marrëveshje përfundimtare që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.
Megjithatë, në këtë takim nuk ishin të pranishëm përfaqësues të 3 partive VV-PDK-Lista Serbe, që përbëjnë 64 deputetë.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përfaqësues të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarë të partive të komuniteteve joshumicë.
Ftesën e kryeministrit Hoti e ka refuzuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Po ashtu në takimin e thirrur nga Hoti, nuk ishin as përfaqësuesit e partisë Lista Serbe.
Kryeministri Hoti tha se ka pranuar ftesën që të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për procesin e dialogut.
“Të martën do të raportoj edhe në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut”, tha Hoti.