Komisioni Europian njoftoi sot hapjen e disa hetimeve kundër gjigantit amerikan ”Apple” pas dyshimeve për praktika antikonkurrencë në fusha të ndryshme.
Hetimi i parë u bë pas një ankese nga suedezi “Spotify”, që akuzon ”Apple” për abuzime me pozicionin e saj mbizotërues në tregun muzikor në internet, transmeton Gazeta Express.
Brukseli përmend gjithashtu ankesën e një distributori të librave elektronikë/librave audio, i pakënaqur me rregullat e aplikacioneve të App Store.
Ekzekutivi europian nuk e përmend emrin e kësaj kompanie, që sipas të përditshmes britanike “Financial Times”, është ”Kobo”, një filial i librave elektronikë të japonezit ”Rakuten”.
Hetimi i dytë përfshin sjelljen e gjigantit amerikan me shërbimin e pagesave Apple Pay.
Gjiganti amerikan reagoi menjëherë në një deklaratë ku shprehet se është zhgënjyese që Komisioni Europian parashtron ankesa të pabazuara nga një pjesë e vogël e kompanive që thjesht duan të përfitojnë nga situata pa paguar.
“Ne nuk mendojmë se kjo është e drejtë, ne dëshirojmë të mbajmë kushtet të drejta të konkurrencës ku çdo person i vendosur dhe që ka një ide premtuese të mund të ecë përpara”, shtoi ai.