Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar një shënim në Facebook sot, për të uruar Pejën, Deçanin e Malishevën për Ditën e Çlirimit.
Haradinaj ka shkruar se lufta e UÇK-së i dha fund një epoke të errët që shkaktoi shumë tragjedi e vuajtje. Ai ka kujtuar luftëtarët e brigadave që kanë luftuar në këto anë, duke thënë se një pjesë të tyre i kishte njohur që nga fillet e rezistencës së armatosur.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha fund një epoke të errët që shkaktoi shumë tragjedi e vuajtje. Peja, Deçani e Malisheva sot shënojnë Ditën e Çlirimit duke kujtuar guximin dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë, brigadave 131 “Jusuf Gërvalla”, 133 “Adrian Krasniqi”, 135 “Agim Zeneli”, 136 “Rugova”, 121 “Kumanova” e 122 “Imer Krasniqi”.
Një pjesë të tyre, i njoha që nga fillet e rezistencës së armatosur, e u ndanë nga ne duke fituar përjetësinë”, ka shkruar ai. Kryetari Haradinaj ka falënderuar miqtë e Kosovës, SHBA-në e NATO-n, për pozicionimin e tyre në favor të popullit të Kosovës në vitin 1999.
“Falënderues edhe për miqtë e ditëve të rënda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Veriatlantike, që u pozicionuan dhe u bënë aleatë me një popull që kanosej nga shfarosja”, ka shkruar ai. “Pejë,
Deçan e Malishevë, urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar në fund Haradinaj./FrontOnline/