Princi Philip, bashkëshorti i mbretëreshës Elizabeta e Dytë për më shumë se shtatë dekada, sot e feston ditëlindjen e 99-të.
Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet nuk do të ketë ndonjë organizim special për ta organizuar këtë rast, shkaku i pandemisë së koronavirusit, transmeton Koha.
Duka i Edinbughut, Philip, do ta kalojë ditën privatisht në kështjellën “Windsor” në perëndim të Londrës, ku ai dhe mbretëresha britanike 94-vjeçare kanë qëndruar gjatë karantinës.
Kjo do të thotë se anëtarët e tjerë të familjes mbretërore do të duhet ta urojnë atë, përmes videolidhjeve.
“Ka kohë të gjatë që nuk e kam takuar babain tim. Javën e ardhshme ai i mbushë 99 vjet. Pavarësisht se kontakti përmes videolidhjeve është i mirë dhe i nevojshëm, nganjëherë ti ke dëshirë thjeshtë t’i përqafosh njerëzit,” citohet të ketë thënë për “Sky News”, trashëgimtari i fronit mbretërorë, Princi Charles.
Tradicionalisht, ditëlindja e princit do të festohej me përshëndetje me armë në Londër, por për shkak se grumbullimet sociale janë ndaluar si pasojë e pandemisë, mbretëresha Elizabeth mendoi se do të ishte e papërshtatshme të organizoheshin ceremoni të tilla mbretërore. Ajo madje e kishte anuluar edhe festën e ditëlindjes së saj në muajin prill, për herë të parë në 68 vjetët e sundimit të saj.
Sidoqoftë, pallati “Buckingham’ e publikoi një fotografi të ri të çiftit mbretëror për ta shënuar ditëlindjen e Philipit, e cila ishte realizuar javën e kaluar brenda mureve të kështjellës “Windsor”.
Philip, ishte martuar me atëkohë princeshën Elizabeth në vitin 1947, pesë vjet para se ajo të kurorëzohej si mbretëreshë. Ai u largua nga detyrat zyrtare mbretërore në vitin 2017, pasi i kishte realizuar më shumë se 22 mijë angazhime solo. Por vjetëve të fundit, Princi Philip është parë shumë rrallë në publik. Për herë të fundit ai u rikthye nga pensionimi në muajin prill të këtij viti, duke iu drejtuar me një deklaratë falënderuese të gjithë personave të përfshirë në luftën kundër COVID-19./Koha.net/