Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, idenë e hedhur nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, për kryeministër shqiptar, e kanë cilësuar si “tentativë për të fituar kondicion që të dalë e suksesshme në garën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen këtë verë.
BDI-ja, me rastin përvjetorit të 18-të të partisë ka theksuar se ëshët koha për kryeministër shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Por, partitë politike shqiptare në opozitë këtë ide e quajtën dyfytyrësi sepse pikërisht BDI-ja ishte ajo që nuk përkrahi kandidatin shqiptar për president shteti, për të cilin arritën ujdi partitë shqiptare opozitare.
Bujar Osmani, zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka theksuar se ideja për kryeministër shqiptar është ide mbipartiake dhe për këtë i ka ftuar të rreshtohen të gjitha partitë politikë shqiptare.
“Këtë ide dëshirojmë ta ngrisim në një nivel mbipartiak, kjo ide është më e madhe se çdo parti është më e madhe se çdo njeri, më e madhe se çdo qytetar”, ka theksuar Osmani.
Por, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se pikërisht kjo ide për kryeministër shqiptar në këtë moment pa u elaboruar aq sa është e nevojshme do të paraqet mollë sherri mes partive politike shqiptare për të thelluar përçarjet.
“Partitë politike maqedonase do të jenë shumë më të kujdesshme se sa partitë politike shqiptare, madje mendoj se dhe reagimi tek partitë politike shqiptare do të jetë shumë më i madh tek partitë politike që këtë çështje do ta projektojnë si pjesë të marketingut zgjedhor se sa tek partitë politike maqedonase të cilat do të synojnë që të marrin vota edhe nga shqiptarët”, thekson Albert Musliu.
Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike, thotë se nuk sheh asgjë të keqe që kryeministri i vendit apo presidenti të jenë shqiptarë, sepse në Maqedoninë e Veriut, si shtet unitar çdo person ka të drejtë të jetë në pozitë udhëheqëse, nëse personi i caktuar ka kualitet dhe për këtë ka marrëveshje politike.
“Definitivisht është duke u fundosur BDI-ja për sa i përket besimit tek elektorati dhe kjo është shumë normale për një parti e cila aq shumë gjatë kohë ka qëndruar në pushtet dhe kjo rënie është e natyrshme. Është e natyrshme dhe më e shëndetshme për demokracinë që partitë politike pas një cikli e shumta pas dy të shkojnë në opozitë”.
“BDI-ja kishte 18 deputetë, pastaj ra në 10 deputetë do të jetë çudi nëse mbeten në këtë numër. Prandaj ata shkojnë me këtë fjalor nacionalist që nuk është ferr as për shqiptarët”, thotë Dujovski.
Sefer Selimi njohës i çështjeve politike për Radion Evropa e lirë thotë se idea për kryeministër shqiptar është në funksion të defokusimit të debatit mbi çështjet e rëndësishme.
“Jo se kjo çështje (zgjedhja e kryeministrit shqiptar) nuk është e rëndësishme, por koha kur kjo plasohet në këtë moment lë për të dëshiruar dhe lë për të dyshuar se është e sinqertë në këtë në vend se fokusi të vendoset mbi punën e realizuar të Bashkimit Demokratik për Integrim brenda këtyre 18 viteve mbi llogaridhënien gjatë qëndrimit në pushtet gjatë këtyre viteve të kaluara, por kjo do të defuksojë debatin krejtësisht diku tjetër”.
Për më tepër ishte BDI ajo që iu kundërvu idesë për një kandidat të përbashkët shqiptar për president të shtetit në zgjedhjet e fundit presidenciale duke përdorur arsyetime mbase edhe ishin logjike se kjo nuk është qasja e duhur për të arritur deri tek pozicioni për të cilin flasim”, thotë Selimi.
Ndryshe, në rezultatet e Qendrës për Hulumtime të Mendimit Publik pranë Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) realizuar gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti, e që u publikuar ditë më parë, theksohet se lideri i Socialdemokratëve ka besimin më të lartë tek qytetarët edhe atë me 8 për qind, përderisa lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski me 7 për qind.
Ndërkohë në mesin e shqiptarëve Ali Ahmeti lider I Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët janë barazuar me 2 për qind.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhej të mbaheshin në prill, por të njëjtat u anuluan për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Partitë politike nuk kanë arritur ujdi rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve.