Kryeministri Avdullah Hoti, duke folur për dialogun e Kosovës me Serbinë, ka thënë se ai dhe Presidenti Hashim Thaçi i kanë kompetencat e ndara.
“Presidenti i ka kompetencat e veta kushtetuese dhe ai do t’i ushtrojë dhe duhet t’i ushtroj kompetencat e veta. Unë i kam kompetencat e mia si kreu i qeverisë, do t’i ushtroj plotësisht pa lejuar që askush të ndërhyjë në to”, është shprehur Hoti për Zëri i Amerikës,
“Nuk duhet dhe nuk do të lejoj që të ndërhyjë dikush në kompetencat e mia si kryeministër i vendit, por në të njëjtën kohë duke qenë llogaridhënës karshi kuvendit të Kosovës si institucion mbikëqyrës i punës së qeverisë”.
Hoti ka thënë se nuk pret që të ketë telashe me Thaçin rreth këtij procesi.
“Jo, absolutisht jo. Për aq kohë sa të gjithë i zbatojmë obligimet tona kushtetuese nuk duhet të ketë asnjë problem në këtë drejtim. Ajo që duhet të ndodhë, që ka munguar në të kaluarën, sepse në qeverinë e fundit në veçanti nuk ka pasur vullnet nga kreu i qeverisë që të marrë rolin koordinues mes forcave politike në këtë proces, por më shumë ka pasur një qasje konfrontuese, ndoshta për interesa të tjera politike por tani ajo nuk është e rëndësishme”.
“Qasja jonë është që ne t’i sjellim të gjithë bashkë në tavolinë, dhe unë së shpejti do të filloj një raund të konsultimeve me të gjithë krerët e partive politike parlamentare, për të ju prezantuar atyre qasjen tonë që nuk është e panjohur. Të gjithë qytetarët e dinë qasjen që ne e kemi si koalicion qeverisës, edhe si Lidhje Demokratike edhe tash si koalicion qeverisës. Tash është pozicion i qeverisë së Kosovës karshi këtij procesi të dialogut, pra një tryezë e diskutimeve, konsultimeve me liderë të partive politike për t’ju prezantuar se si ne e shohim këtë proces dhe për t’u kërkuar atyre që të jenë të përfshirë gjatë gjithë kohës në këtë proces”.
“Unë do t’i mbajë vazhdimisht të informuar dhe të përfshirë gjatë gjithë kohës jo vetëm kur të arrihet marrëveshja por gjatë tërë procesit, në mënyrë që një herë e përgjithmonë të mbyllet marrëveshja me Serbinë, sepse unë besoj që është interes jetik për paqen dhe stabilitetin për gjithë rajonin”.