Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në mbledhjen e mbajtur sot, e miratoi Programin qeverisës 2020-2023, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e Agon Musliut dhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës që të bëjë ndryshimin për tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale.
Me Programin qeverisës 2020-2023, i cili ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar se do të jetë mbrojtëse dhe zbatuese e të gjitha parimeve dhe normave që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.
“Përparimi i lirive qytetare, mbrojta e pronës private, promovimi i mundësive të barabarta, forcimi i ekonomisë së tregut, promovimi i drejtësisë efikase dhe asnjanëse, do jenë postulatet kryesore që do të karakterizojnë ndërgjegjen politike të Qeverisë së re. Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra për media e kryeministrisë.
Në këtë mbledhje janë miratuar edhe objketivat e qeverisë prej të cilave dy të parat ndërlidhen me luftën kundër pandemisë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
Krahas këtyre objektivave, Qeveria do të ketë prioritet forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;
Zhvillimin ekonomik bazuar në ekonominë e tregut, rritjen e punësimit dhe investimeve, për t’u përballur me pasojat e pandemisë dhe nevojën për fuqizim të aftësisë konkurruese të bizneseve e prodhimeve vendore;
Marrjen e përgjegjësisë për të quar përpara dialogun me Serbinë, në bashkëpunim me BE dhe SHBA, duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit;
Avancimin e procesit të integrimit evropian, përmes zbatimit të MSA-së, si dhe procesit të integrimeve euroatlantike;
Zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave Evropiane;
Krijimin e atmosferës së bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështjet vitale në interes të vendit dhe vendimmarrje në konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.
Po në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për mbështetje financiare në vlerë prej 25,000.00 € (njëzet e pesë mijë euro) për ndihmë familjes së Agon Musliut, që humbi jetën tragjikisht më datë 3 maj 2020 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e caktuar si Hapësirë karantine.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm. Tejkalimi sipas këtij vendimi rritet përkohësisht deri në tetë (8) për qind, ndërsa kufiri i bilancit të shfrytëzueshëm bankar ulet përkohësisht deri në tre (3) për qind. Kërkesa për këtë ndryshim bëhet pasi që Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2020 ndikohen nga situata e krijuar nga pandemia globale “Covid-19”.