Në mbledhjen e dytë të qeverisë së Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka folur zëvendëskryeministri nga radhët e LDK’së, Driton Selmanaj, raporton Gazeta Express.
Selmanaj para ministrave ka thënë se deri më tani nuk e kanë ende të qartë nëse do të realizojnë një proces të vetingut.
“Kemi shumë punë për të bërë, nuk jemi krejtësisht të qartë nëse vërtetë do të realizojmë një proces të vetingut ose diçka të ngjashme, por, përkushtimi jonë do të jetë që në bashkëpunim me partnerët tanë do të provojmë që të identifikojmë sfidat që ky sistem në Kosovë i ka aktualisht që t’i adresojmë fuqishëm përmes performancës së brendshme apo edhe në instrumentet tjera që këto institucione kanë nevojë”, ka thënë Selmanaj.
Zëvendëskryeministri ka thënë se së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Selim Selimin do t’i marrin masat e nevojshme për këtë cështje.
“Me ministrin e Drejtësisë shumë shpejtë do t’i marrim masat e nevojshme nëse do të kemi nevojë të intervenojmë në ligje apo kushtetutë. Bashkërisht do t’ia dalim suksesshëm”, ka thënë ai.