Teksa rrjeti social Twitter ka marrë masa ndaj një postimi të presidentit amerikan Donald Trump, Facebook s’ka pranuar të marrë masa.
Trump të enjten në mbrëmje kishte shkruar në të gjitha rrjetet sociale një fjali që ishte përdorur në vitet e ’60-ta nga një shef policie që kishte urdhëruar patrulla me pushkë dhe qen në lagje të banuara me afro-amerikanë.
“Në çfarëdo vështirësie, ne do të marrim kontrollin, por kur plaçkitja fillon, ne do të sulmojmë”, kishte shkruar Trump në postimin që u interpretua si kërcënim dhe nxitje e dhunës kundër banorëve të Minnesotas, në të cilin kanë shpërthyer protesta për shkak vrasjes së George Floyd, një afro-amerikan i cili lutej për jetën e tij gjersa një polic i bardhë ja shtypte fytin për disa minuta, raporton The Guardian.
Twitteri vendosi një shenjë paralajmërimi në postim, sipas rregullave të vendosura më 2019. Por Facebooku që ka rregulla të qarta kundër fjalëve që mund të frymëzojnë apo nxisin dhunën, nuk ka marrë asnjë veprim kundër postimit të Trumpit. Që nga e premtja mbrëma, ky postim në Facebook është ndarë më shumë se 65,000 herë dhe ka marrë 196,000 pëlqime, 32,000 ikona zemre, dhe 6,600 ikona të të qeshurit.
Të premten mbrëma, pronari i Facebookut, Mark Zuckenberg, mbrojti vendimin e kompanisë për të lejuar postimin duke thënë se rrjeti social ka rregulla për lejimin e paralajmërimeve të përdorimit të forcës nga ana e akterëve shtetërorë, përcjell Koha.
Sidoqoftë Zuckenberg kritikoi Trumpin, duke thënë: “Personalisht, kam qëndrim të kundërt ndaj kësaj retorike ndarëse dhe nxitëse…nuk pajtohem me mënyrën se si presidenti ka folur për këtë çështje, por besoj se njerëzit duhet të shohin për vete, sepse në fund të fundit njerëzit në pozita të fuqishme duhen marrë përgjegjësi, dhe kjo ndodhë vetëm nëse fjalimi i tyre shihet haptazi”.
Kërcënimet me dhunë nga ana e akterëve shtetërorë në platformat e Facebookut kanë qenë temë e ndërlikuar për këtë kompani. Facebooku u përdor nga ekstremistët budistë dhe zyrtarë ushtarakë në Myanmar për të nxitur urrejtje dhe dhunë ndaj pakicës myslimane të këtij shtetit, popullit Rohingya në vitin 2017, një kampanjë e pastrimit etnik i cili kulmoi në vrasjen e 25,000 Rohingyave dhe zhvendosjen me dhunë të më shumë se 700,000 prej tyre.