Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar se ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashtohen zgjedhjet.
“Ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashton zgjedhjet. Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Corona”.
Kurti ka kërkuar të mbahen zgjedhjet duke treguar edhe vendet që do të mbajnë zgjedhjet pavarësisht pandemisë me Covid-19.
“Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht”.