Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se Beogradi dhe Prishtina janë larg vazhdimit të dialogut.
Në një prononcim për gazetën serbe “Blic”, ai ka thënë se shteti i tij megjithatë është i gatshëm për vazhdimin e dialogut.
“Dihet se cili është kushti ynë, të hiqen taksat dhe reciprociteti i vënë nga Prishtina. Ata i kanë hequr taksat, por kanë vënë reciprocitet, gjë që është më e rëndë sesa taksat. Kjo do të thotë se të gjitha dokumentet duhet ta përmbajnë Republikën e Kosovës, që nuk ka qenë kurrë pjesë e marrëveshjes. Se për çfarë hapi është fjala e dëshmon edhe fakti që Grenelli kërkon heqjen e reciprocitetit. Mendoj se jemi larg vazhdimit të dialogut, e lëre më zgjidhjes. Shkaku është para se gjithash Prishtina”, ka thënë kryediplomati i Serbisë.
Duke e komentuar idenë e paraqitur prej Lufti Hazirit rreth shkëmbimit të territoreve, Daçiqi ka thënë se “pala tjetër duhet para se gjithash ta zgjidhë mes vete se kush do të jetë palë në dialog”.
“Së pari të merren vesh se kush do të flasë në emër të Prishtinës”, ka thënë Daçiqi.