Vigan Qorrolli, njohës i Kushtetutës, thotë se Gjykata Kushtetuese nuk bën të goditet për qëllime të politikës ditore dhe se integriteti i kësaj gjykate, nuk guxon të vihet në pikëpyetje.
Qorrolli në një shkrim në Facebook e ka kritikuar klasën politike të cilët kanë vënë dorë në Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese është institucioni suprem i Republikës. Ajo nuk bën të goditet ultë dhe për qëllime të politikës ditore. Meqë brenda saj ka persona të lidhur fortë me politikanë të caktuar — integriteti i kësaj gjykate nuk guxon të vihet në pikëpyetje.
KOHA, ditë më parë raportoi se Gjykata Kushtetuese do t’ia rrëzojë dekretin për mandatarin presidentit Hashim Thaçi, por do t’i hapë rrugë planit të tij për ta bërë një qeveri të re, pjesë e së cilës nuk do të jetë Lëvizja Vetëvendosje, subjekt politik që i ka fituar zgjedhjet.
Shtatë gjyqtarë të Kushtetueses janë mobilizuar për të gjetur arsyetime mbështetëse për këtë.
Qorrolli, tutje shkruan se “Gjykata është më e rëndësishme se interesat e politikës meskine, që i ka keqpërdorur pamëshirshëm edhe gurët e varreve të dëshmorëve”.
“Mos prisni mrekulli prej një kaste politikanësh, që demokracinë e kuptojnë si një film triller, e jo si një fundament të shtetësisë. Shoqëria jonë duhet të tregojë respekt për dinjitozët, e duhet t’i përbuz servilët dhe të kapurit”, përfundoi ai.
Në anën tjetër, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka një kusht për ta pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Do ta respektojë atë, vetëm në rast se në këtë dokument nuk “caktohen” afate që nuk i përmban as akti më i lartë juridik i shtetit.
Ndërkaq, presidenti Hashim Thaçi para disa ditësh tha se “askush nuk mund të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të institucioneve të vendit”.