Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se është kërcënuar.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se është kërcënuar nga “Garda Vullnetare Shqiptare”, raporton Scanner.
Kurti ka thënë se në lidhje me këtë komunikatë, kërcënim përbën edhe për kryetaren e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi.
“Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Pyetjet e njëanshme që thuhet se janë bërë nga Gjykata Kushtetuese në Forumin e Venedikut shpresojmë se janë lajm i rremë. Ndërkaq, ‘dokumentet’ në 3800 faqe nga koha e shkrimit të Kushtetutës, të humbura për vitin 2014 e të ‘gjetura’ tani, e kanë pasur afatin e skadencës porsi regjimi i vjetër – 6 tetor 2019!”, ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë:
Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexha. Nuk ka shpjegim tjetër.
Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.
Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.
Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.
Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Pyetjet e njëanshme që thuhet se janë bërë nga Gjykata Kushtetuese në Forumin e Venedikut shpresojmë se janë lajm i rremë. Ndërkaq, ‘dokumentet’ në 3800 faqe nga koha e shkrimit të Kushtetutës, të humbura për vitin 2014 e të ‘gjetura’ tani, e kanë pasur afatin e skadencës porsi regjimi i vjetër – 6 tetor 2019!
Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.