Grenell: S’e përjashtojmë pjesëmarrjen e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi

E publikuar: 19/05/2020 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfshirja e Rusisë në dialogun mes Kosovës e Serbisë, tanimë është një ide e shprehur haptaz nga Moska zyrtare, dhe e cila nuk po kundër shtohet as nga fuqitë e mëdha perëndimore.

Aktualizimi i temës në fjalë, erdhi pas propozimit të ambasadorit rus në Beograd, Alexander Bothan Kharachenko, për përfshirjen e Moskës në procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, ndërkaq që në këtë mes, ky shtet do të përfaqësonte interesat e Beogradit, shkruan lajmi.net.

E megjithë qëndrimet tashmë të njohura për Rusinë, SHBA-të dhe BE-ja nuk është se kanë treguar tone të ashpra kundërshtuese për përfshirjen edhe të një akteri në dialog.

Nga zyra e emisarit special të SHBA-ve, Richard Grenell, nuk shprehen kundër involvimit rus në procesin e dialogut.

Në pyetjen e lajmi.net se nëse përfshirja e Rusisë mund të sjellë përplasje në këtë proces, nga zyra e Grenellit thonë se janë të hapur për gjithkë që do të kontribuojë me ide në proces.

“Duke iu përgjigjur pyetjeve të para, ne themi se gjithkush është i mirëpritur që të kontribuojë me ide që mund të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet për Serbinë dhe Kosovën”,  ka thënë Dick Custin, zëdhënës në zyrën e Grenell.

Lajmi.net ka pyetur në zyrën e Grenellit edhe për deklaratat e kryeministrit Kurti, që thotë se emisari i Trumpit është duke kërkuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë para shtatorit, në atë formë që kjo të konsiderohet si arritje e administratës amerikane para zgjedhjeve që mbahen atje.

Në lidhje me këto deklarata, nga Zyra e Grenellit thonë se nuk kanë ndonjë koment.

Dialogu mes Kosovës e Serbisë, tash e një kohë është në fazë totale të bllokadës, që nga vendimi i qeverisë Haradinaj për vendosjen e taksës 100% për produktet serbe.

Ky proces nuk ka filluar as pas largimit të taksës, ndërsa që edhe zëvendësimi i saj me reciprocitet nga qeveria Kurti, nuk është mirëpritur nga SHBA-të.

Kjo e fundit tanimë po kërkon me ngulm që në mes të Kosovës dhe Serbisë mos të ketë barriera që mund të ndikojnë në pengimin e procesit të dialogut.