Sektori publik i shëndetësisë në Kosovë ende nuk ka filluar të bëjë teste serologjike, në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin. Testet e tilla janë të rëndësishme për të përcaktuar shkallën e imunitetit ndaj sëmundjes COVID-19, e cila shkaktohet nga koronavirusi i ri, posaçërisht te personat që nuk kanë shfaqur simptoma.
Por, Besim Nuhiu, një qytetar nga Prishtina, thotë se këtë test, ai ka arritur ta bëjë në një laborator privat.
“Unë e kam bërë para një kohe testin me gjak, për të ditur nëse e kam pasur koronavirusin. Kam rezultuar negativ. Por, kur kam kërkuar t’ua bëj testin edhe familjarëve, nuk kam pasur mundësi, pasi kjo procedurë u ndërpre”, tha zoti Nuhiu.
Laboratori privat Avicena në Prishtinë, përmes një njoftimi në ueb-faqe, njofton se është furnizuar me teste për detektimin e COVID-19 dhe se “kapaciteti i testeve është 50 në ditë me një çmim prej 20 eurosh”.
Testi që përdoret, sipas këtij njoftimi, është “test i shpejtë dhe preciz kromatografik për detektim të antitrupave të krijuara nga koronavirusi”.