Auditori thotë se Dogana në disa raste po përdor trajtim të pa barbarët ndaj bizneseve

E publikuar: 12/05/2020 13:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka raste që në vitin e kaluar Dogana e Kosovës ka përdorur trajtim jo korrekt dhe të pa barabartë ndaj bizneseve me rastin e përcaktimit të vlerës doganore të mallit të importuar.

Mangësi në kalkulimin e bazës doganore dhe mos aplikimi i çmimeve uniforme, me rastin e rivlerësimit të mallrave për qëllime tatimore, ka përdorur Dogana e Kosovës në disa raste në vitin e kalkuluar.

Këtë e ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditorit gjatë hartimit të Raportit për pasqyrat financiare të Doganës së Kosovës për vitin 2019, shkruan lajmi.net.

Sipas Udhëzimit Administrativ nr.11/2009 për implementimin e kodit doganor dhe të akcizave, vlera doganore duhet të përcaktohet duke u referuar te vlera e transaksionit të mallrave identike në shitje në të njëjtin nivel komercial dhe në sasi të njëjtë sikurse mallrat që janë duke u vlerësuar. Kur nuk është e mundur të gjendet shitja e tillë, vlera e transaksionit për mallrat identike të shitura në nivel të ndryshëm komercial dhe/ose në sasi të ndryshme të përshtatur për të marrë parasysh nivelet e ndryshme komercial dhe/ose në sasi të ndryshme, shfrytëzohet me kusht që përshtatjet e tilla të mund të bëhen mbi bazat e dëshmisë së provuar, e krijon arsyeshmërinë dhe saktësinë e përshtatjes, qoftë nëse kjo shpie në rritje apo zvogëlim të vlerës.

Auditori ka gjetur se zyrtarët doganorë nuk kishin marrë parasysh këtë kërkesë të udhëzimit me rastin e përcaktimit të vlerës doganore të mallit të importuar në një rast, tek importi i artikullit përshkrimi fatural “laidies briefs onyildiz”. të importuar me terma të njëjta (biznesi, vendi origjinës, vendi eksportues, përshkrimi fatural dhe kushtet e dërgesës të njëjta), në periudha të ndryshme kohore, nuk janë rivlerësuar edhe pse çmimi i faturuar i artikujve të njëjtë ka qenë i ndryshëm, detajet për secilin rast janë përshkruar në vazhdim:

Sipas ZKA-së, Dokumentin Unik Doganor (DUD) me numër 2020-63359, data 08.10.2019 përshkrimi fatural i artikullit “laidies briefs onyildiz” ishte faturuar me çmim prej 0.25 cent për copë, gjithsej vlera 2,790 euro ( për 11,160 copë x 0.25 cent). Ky çmim nuk ishte pranuar nga dogana dhe artikulli është rivlerësuar me çmim prej 0.50 cent për copë dhe vlera e artikullit që ishte ngarkuar me taksa doganore, duke ja shtuar edhe shpenzimet e transportit ishte 5,673 euro.

Po ashtu, Auditori ka gjetur se, DUD-i me numër 2020-69652, i datës 04.11.2019 “emërtimi fatural i artikulli “laidies briefs onyildiz” ishte faturuar dhe pranuar vlera e transaksionit/faturës prej 4,464 euro apo 0.40 cent për 11,160 copë, edhe pse çmimi i artikujve është i ndryshëm nuk i është nënshtruar rivlerësimit. Siç shihet, sikur t’i nënshtrohej rivlerësimit atëherë vlera apo baza për doganim do të ishte 5,580 euro (11,160 copë çmimi 0.50 cent për copë) duke e ngarkuar edhe me 93 euro për shpenzime të transportit baza për doganim do të ishte 5,673 euro dhe efekti në taksa doganore do të rritej për 306 euro.

“Më tej, pas analizimit të deklaratave vërehet se ka përshkrime jo të sakta tregtare dhe mos harmonizime apo deklarime të ndryshme të mallit në deklaratën doganore për përshkrimin e njëjtë të mallit sipas faturave të bashkangjitura në deklaratë”, thuhet në raport.

Sipas, ZKA-së, mangësitë në kalkulimin e bazës doganore dhe mos aplikimi i çmimeve uniforme me rastin e rivlerësimit të bazës doganore, rezulton në trajtim jo korrekt dhe jo të barabartë të bizneseve si dhe shmangie në të hyra.

Andaj, Auditori ka rekomanduar që “Drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të mundësuar një proces korrekt të vlerësimit të deklaratave doganore, përshkrimi tregtar dhe të ketë harmonizimin e dokumenteve me gjendjen faktike/faturën si dhe trajtim të barabartë të bizneseve”.