Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministren Federale Austriake për BE dhe për Kushtetutën, Karoline Edtstadler.
Në këtë bisedë fillimisht u këmbyen informatat mbi gjendjen e pandemisë Covid-19 në të dyja shtetet, ku u konstatua përmirësimi i gjendjes në këto dy vende.
“Njëherit, u bisedua për procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian, sidomos për liberalizimin e vizave për Kosovën. Duke iu falënderuar Austrisë për mbështetjen tradicionale të rrugës evropiane të Kosovës, ministri Reka i kërkoi ministres Edtstadler, që si shtet mik i Kosovës, t’i bindë shtetet e pakta hezituese për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, si në prag të Samitit të Zagrebit të BE me vendet e Ballkanit Përendimor, po ashtu edhe gjatë samitit të rregullt të Këshillit Evropian në qershor 2020”.
“Nga ana e saj, ministrja Edstadaler rikonfirmoi përkrahjen austriake për Kosovën në procesin integrues dhe në veçanti për liberalizimin e vizave, sepse siç tha ajo, po shihet qartë përparimi në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ministrja Edtstadler tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e Austrisë në këtë proces. Ajo theksoi se Programi Qeveritar i Austrisë mbështet tutje përpjekjet për arritjen e liberalizimit të vizave, sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka njoftuar Ministria e Integrimit Evropian.