Kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe i nominuari i kësaj partie për kryeministër Avdullah Hoti, kanë mbledhur të marten deputetët e LDK-së në selinë e partisë.
Mustafa e Hoti synojnë t’i bindin edhe disa deputetë, që janë kundër votimit të qeverisë Hoti dhe të koalicionit me AAK-në, Nismën dhe minoritetet.
Në këtë takim pritet të diskutohet edhe përbërja e kabinetit qeveritar, transmeton KOHA.
Deputeti Fatmir Rexhepi që ka qenë kundër rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit, ka thënë se votën e tij do ta tregojë në ditën kur të mbahet seanca për formimin e qeverisë, derisa ka shtuar se është për formimin sa më të shpejt të institucioneve.
E njëjtë ka qenë edhe përgjigja e Ardian Shalës, deputetit nga Suhareka që kishte votuar kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.
“Do e shqyrtoj ende sepse kemi një kandidat nga LDK-ja dhe po ashtu kemi një vendim të ri nga Këshilli i Përgjithshëm. Do të vendosi ditën që të votohet ne Kuvend”, ka thënë ai.
Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani e deputeti i Haxhi Avdyli nuk janë parë të kenë hyrë në takim.
Ishte paralajmëruar se marrëveshja për koalicion do të finalizohet shpejt, ndërkohë që po vazhdojnë konsultat për sigurimin e votave të domosdoshme. Me gjithë këto konsulta, mbetet e paqartë nëse janë siguruar 61 votat e domosdoshme për krijimin e Qeverisë Hoti.
LDK-ja aktualisht i ka 28 deputetë, por tre ligjvënës të kësaj partie, përfshirë kryekuvendaren, Vjosa Osmani, janë shprehur kundër një koalicioni me partitë që kanë qenë më herët në pushtet.
Ndërkohë, AAK-ja i ka 13 deputetë, Nisma 4, AKR 2, Lista Serbe 10 deputetë. Ndryshe prej AAK-së dhe Nismës, AKR-ja ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e koalicionit me LDK-në.
Kurse komunitetet e tjera pakicë i kanë 9 deputetë, pasi Elbert Krasniqi i komunitetit egjiptian, pas përfundimit të zgjedhjeve i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Krasniqi ka thënë se janë duke i shkuar shumë oferta për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re, por se ai “nuk do ta votojë një qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve”.
PDK-ja ndërkaq, ndonëse ka kërkuar të shmangen zgjedhjet, ka bërë të ditur se nuk e mbështet një qeveri të krijuar prej LDK-së.
Përpjekjet e LDK-së për krijimin e një qeverie te re vijnë pasi inicimit, prej saj, të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Pas kalimit të këtij mocioni në Kuvend, ajo u shpreh e gatshme ta marrë mandatin dhe ta krijojë Qeverinë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Nga Kushtrim Kadriu