Albin Kurti e liron nga detyra Shkëlzen Gashin

E publikuar: 25/04/2020 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar nga pozita e këshilltarit Shkelzen Gashin i cili dje tha se UÇK ka kryer krime lufte ndaj serbëve të pafajshëm.

Por, Kurti nuk i ka kursyer aspak lëvdatat për ish-këshilltarin e tij. Ai tha se këto deklarata të tij patën pasoja shpërqëndruese dhe debatin e tij Gashi është mirë mos ta bëjë nga pozita e këshilltarit.

Ai e ka falënderuar e çmuar Gashin, duke thënë se nuk është një bashkëbisedues i lehtë dhe se ka mësuar nga ai.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi.

Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim.

E falenderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar.