Avdullah Hoti është ngjitur në skenën politike në 2006-n nga Agim Veliu. Kanë kaluar 14 vjet prej atëherë dhe deri tash, kur i është hapur dera për t’u bërë kryeministër, në rrugëtimin politik gjithherë ka qenë hije e Isa Mustafës.
Mustafa ka dalë të enjten në një konferencë shtypi me Hotin, për të kumtuar se Lidhja Demokratike (LDK) e ka propozuar atë për kryeministër të ardhshëm. Vendimi është marrë menjëherë pasi presidenti Hashim Thaçi vendosi t’ia ofrojë kësaj partie mundësinë për ta bërë Qeverinë e re, ani se juristët më në zë ia kanë kontestuar kushtetutshmërinë këtij veprimi të kreut të shtetit, shkruan KOHA.
Kjo, nga shkaku që disa besojnë se pas mocionit kundër Qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishte LDK-ja, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, e të tjerë që konsiderojnë se Qeveria e re mund të bëhet, thonë se kurrsesi mandatari nuk mund t’i kalohet LDK-së, pa përgjigjen e qartë dhe definitive të partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), se heq dorë nga mandatari.
Posti i zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë Kurti është ai më i larti politik që e ka bartur profesori i ekonomisë. Por është shkarkuar. Kurti vendosi për ta larguar, pak orë pas mocionit kundër Qeverisë së tij që ishte iniciuar nga LDK-ja. Arsye formale për mocion kjo parti përmendi shkarkimin që Kurti ia bëri paraprakisht Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.
Ndërkaq funksioni i parë politik që Hoti ka pasur është ai i këshilltarit. Veliu ishte ministër i Arsimit, kur në 2006-n kuadrin e ri universitar të asaj kohe e kishte bërë pjesë të stafit politik.