Padrejtësi ndaj partisë së tij, e ka cilësuar kryeministri në detyrë Albin Kurti tentimin për formim të qeverisë së re nga Lidhja Demokratike e Kosovës e presidenti Hashim Thaçi.
Sipas Kurtit, presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij dhe është duke tentuar të krijojë vullnet politik, të ndryshëm nga ai i zgjedhjeve të 6 tetorit.
E për vendimin e Thaçit për mandatarin, kreu i Qeverisë shumë shpejt do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, raporton KOHA.
Njohës të Kushtetutës janë të bindur se me kërkesën për mandatar drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje.
Në anën tjetër, sipas Riza Smakës, nga Kushtetuesja duhet të kërkohet edhe vendosja e masës së parakohshme, në mënyrë që të mos procedohet me formimin e qeverisë së re, pa u bërë i ditur vendimi i gjykatës.
Pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka dërguar emrin e kandidatit për kryeministrin e ri, presidenti Hashim Thaçi një gjë të tillë e ka kërkuar nga partia, e cila ka dalë e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Një gjë të tillë, sipas Kushtetutës, presidenti mund ta bëjë vetëm në rast se partia e parë refuzon të propozojë një emër të ri.