Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së në Prishtinë, përmes një deklarate të përbashkët, kanë sqaruar se takimet me liderë politikë dhe institucionalë të Kosovës bëhen me qëllim që t’i dëgjojnë pikëpamjet e tyre dhe kjo nuk do të thotë se ato japin mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë.
Deklarata e vendeve të QUINT-it vjen pas takimit të ambasadorët e këtyre vendeve kishin sot me presidentin Hashim Thaçi, i cili i ka njoftuar rreth kërkesës që i ka bërë kryetarit të LDK-së Isa Mustafa që të ofrojë kandidatin për formimin e qeverisë re,transmeton Telegrafi.
“Ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT-it.
Presidenca njofton se Thaçi u ka thënë ambasadorëve se çdo hap që po e ndërmerr është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe se pas konsultimeve me partitë politike është e qartë se shumica absolute janë në favor të formimit të Qeverisë së re pa shpërbërjen e Kuvendit dhe konform këtij vullneti të shprehur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ka kërkuar nga LDK-ja kandidatin apo kandidaten për të formuar Qeverinë e re.