Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit ka thënë sot se Gjilani po i kalon këto ditë të pandemisë edhe me peshën e dhembjes për vdekjen e një bashkëqytetari në burgun e Dubravës si dhe fatkeqësinë e familjes Maloku, raporton mediafokus.info
“Këto dy raste ia shtojnë peshën këtyre 41 ditëve te emergjencës kundër pandemisë, na shtojnë mërzinë edhe neve, por ne do te mundohemi me krye misionin tonë duke u qëndruar afër secilit dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin në këtë situatë”, ka thënë Haziri.
Sa i përket rastit të të burgosurit, i cili ishte në pritje që të lirohej këto ditë, Haziri ka thënë se i ndjeri ka qenë një fëmijë i adaptuar, i cili ishte rritur nën përkujdesjen e shtetit.
Ai ka lënë pas vete një fëmijë 4-vjeçar, i cili po ashtu është nën përkujdesje të shtetit.
Haziri tha se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e burgjeve zbardhjen e rastit.
“Për neve, kjo është e dhimbshme dhe shpresojmë se ministria e drejtësisë dhe drejtoria e burgjeve do ta zbardhë këtë rast”, ka thënë Haziri.
Një rast tjetër i rëndë, është ai i familjes Maloku, të cilën ne do ta asistojmë për ta ;përballuar këtë gjendje, duke uruar që kryefamiljari i saj të shërohet.
“Komuna do ta ndihmojë familjen Maloku me përballua aktin e rëndë dhe gjendjen shëndetësore të kryefamiljarit”, ka premtuar Haziri.
Por, kryetari Haziri është shprehur i zemëruar nga përdorimi politik që po i bëhet këtij rasti nga individë të caktuar dhe ka kërkuar të mos luajë askush me tragjeditë e njerëzve në këtë gjendje pandemie.
“Fatkeqësisht kemi pa përdorim ditor politik të rastit, nga individë te caktuar, gjë që nuk i bëjnë mirë shëndetit të personit, as familjes dhe as neve”, ka thënë Haziri.
Ai kërkoi nga personat e tillë të mos luajnë me tragjeditë e njerëszve.
“Mos luani me tragjedinë e njerëzve, veçanërisht me sofrën dhe jetën e tyre”, ka thënë Haziri./mediafokus.info















