Nga Elmaz Isufi
LDK-ja nuk e pranon publikisht, e nuk e thonë me zë të lartë as ata që duan ndryshimin brenda saj, se shkak i prishjes së koalicionit nuk është VV-ja e as shpërfillja që ia ka bërë ajo, por se ky subjekt politik është i kapur dhe i shantazhuar nga brenda e nga jashtë
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pasur një, por po e zëmë që i ka pasur dy, arsye parimore për t’u hidhëruar nga partneri në qeveri, Lëvizja Vetëvendosje. Ka pasur arsye edhe të kërcënojë me largim, e çfarë jo tjetër. Por, ajo, po ashtu ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve, edhe duke shfaqur kritikat ndaj VV-së, por edhe vetëkritikat për shkeljet e parimeve mbi të cilat është ndërtuar koalicioni. Nëse për asgjë tjetër, të paktën për të kërkuar nga partneri modifikim të parimeve të marrëveshjes me arsyetimin se janë krijuar rrethana të reja, përfshirë edhe ndryshimin e atyre pikave që LDK-ja nuk ka mundur t’u qëndrojë besnike, siç është çështja e taksës ndaj mallrave të Serbisë. LDK-ja është dashur të jetë e sinqertë dhe t’ia bëjë me dije VV-së se brenda saj ka shumë fraksione dhe se gjatë rrugës mund të shfaqen vështirësi. Se ndryshimi prek edhe interesat e njerëzve brenda partisë dhe se të punosh kundër vetvetes nuk është gjë e lehtë.
Pra, më shumë se për largim, ky subjekt politik i ka pasur 1000 arsye tjera për të qëndruar në qeveri, jo për hatër të VV-së, por të qytetarëve dhe pritjeve të tyre. Për hatër të situatës nëpër të cilën nuk kalon vetëm Kosova, por edhe të gjitha vendet e botës. Për kohën kur solidariteti, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i kanë vënë në “pauzë” të gjitha fërkimet e armiqësitë. Kur më shumë se çdo ambicie personale e politike e rëndësishme është jeta e njerëzve, edhe e atyre me, edhe e atyre pa pushtet e para.
LDK-ja duhet t’i ketë marrë parasysh, para se të na shfaqet e lënduar nga sjella e VV-së, edhe disa shërbime pa pagesë të VV-së.
Vetëvendosje ka dëshmuar edhe gjatë kohës kur këto dy subjekte ishin në opozitë se e ka të qartë vizionin për ndryshim, se është e gatshme që këtë projekt ta shtyjë para me LDK-në, por nëse ajo “lodhet” gjatë rrugës, edhe pa të. Kësaj i ka qëndruar edhe para e edhe pas periudhës paszgjedhore, deri në formimin e qeverisë, gjashtë muaj pas votimeve.
Përveçse ka eliminuar mundësinë që të futet në koalicion me partitë e PAN-it, ajo e ka amnistuar LDK-në nga kritika publike si pjesë e dështimit dhe kapjes së shtetit. VV-ja i ka bërë pra një shërbim të madh LDK-së edhe kur e ka konsideruar atë si subjekt që mund ta ndihmojë ndryshimin e menaxhimit të institucioneve shtetërore.
VV-ja, si parti fituese e zgjedhjeve, ka pranuar ndarjen e posteve sipas kërkesave të LDK-së, madje edhe kur kjo e fundit iu kthye negociatave pas konstituimit të Kuvendit. Pranoi të “degradojë” të porsazgjedhurin në krye të parlamentit, Glauk Konjufcën, për t’i hapur rrugë marrëveshjes. VV-ja u tregua e gatshme ta çonte vendin në zgjedhje të reja, por assesi të kërkojë partnerë tjerë për ta krijuar qeverinë. Kjo sa u përket parimeve dhe dallimeve.
Por, ajo që LDK-ja nuk e pranon publikisht, e nuk thonë me zë të lartë as ata që duan ndryshimin brenda saj, është se nuk është problemi te VV-ja as te shpërfillja që ia ka bërë ajo, porse ky subjekt politik është i kapur – nga brenda e nga jashtë. Se asaj i mungon integriteti dhe jo që nga tash, por që pas zgjedhjeve të vitit 2004.
Pra, plogështinë LDK-ja e ka shfaqur edhe për të gjallë të presidentit Rugova, kur një subjekti, që vetëm parti politike nuk ishte, ia dorëzoi pa kushte Qeverinë. Jo që degradoi sistemi i udhëheqjes nga ky koalicion, por fatkeqësisht edhe ministrat e LDK-së, që vetëm për qeveri nuk ishin, u përfshinë në skandale të panumërta. Ky ishte degradimi dhe kapja e parë.
Aleanca e “detyrueshme” me AAK-në, përfaqësimi aspak dinjitoz i LDK-së në qeveri, më pas edhe humbja e liderit të saj, shënuan fillimin e fundit të këtij subjekti, në kuptimin e rolit dhe fuqisë politike.
Vdekja e presidentit Rugova ishte shansi i madh që në LDK të infiltrohen strukturat e qeverisë Bukoshi, që për vite nuk komunikonin me kreun e kësaj partie dhe për meritë të Rugovës ishin lënë ashtu siç edhe u pëlqente të quheshin: “në ekzil”. Madje, historia e para dhe e pasluftës ka dëshmuar se “Qeveria e financave” ishte më afër me Hashim Thaçin dhe komandantë të caktuar të zonave, sesa me strukturat e LDK-së që menaxhonin ato pak institucione paralele që funksiononin në kohën e regjimit të Millosheviqit. Kjo është kapja e dytë.
Shndërrimi nga parti politike në shoqëri aksionare bëri që LDK në të gjitha proceset zgjedhore nacionale të njohë vetëm humbje. Nga partia që kishte vizion shtetndërtimin, ajo u shndërrua në subjektin që vizion ka paranë dhe pushtetin që e garanton atë.
Numrat e saj më nuk kishin rol. Edhe kur dukej e madhe, ajo na shfaqej e vogël në peshë. PDK-ja dhe AAK-ja nuk bënin më betejën me LDK-në, ato i mprihnin shpatat për t’i përdorur kundër njëra-tjetrës për numrat e LDK-së. Kjo është kapja e tretë, kur krahas AAK-së aty përfshihet me tërë kapacitetet e saj PDK-ja.
Të dy këto parti kujdesen që strukturat që nuk dhanë kurrë përgjegjësi për humbjet e përhershme të mos largohen. Kushdo që rebelohet tash në LDK, e merr goditjen publike nga PDK-ja, ndërsa gjen strehë tek AAK-ja.
Pra, PDK-ja përdoret si kundërshtare e përjetshme politike – kuptohet fiktive – e AAK-ja si aleate e natyrshme. Të parën, strukturat e LDK-së e përdorin për mobilizim të elektoratit në kohë fushate, e të dytën si kundërpeshë dhe si mundësi të ardhjes në pushtet. Këtë e konfirmon fakti se Këshilli i Përgjithshëm në afat rekord, ditë më parë ka vendos për koalicion me AAK dhe Nismën.
LDK-ja, duke qenë e kapur, është shndërruar në aleatin e virusit vrasës COVID-19, jo vetëm duke kufizuar nëpërmjet mocionit kapacitetet e qeverisë ku ajo i ka edhe disa përfaqësues të saj, bllokimit të nismave ligjore që i hapin rrugë menaxhimit më të mirë të emergjencave, por edhe me kërcënimin se do të krijojë një qeveri të re me partitë e PAN-it. Me ato parti që nuk ndiejnë përgjegjësinë për dëmet që ia kanë shkaktuar vendit për 20 vjet, e as ndjesinë se numri i të prekurve nga pandemia, e bashkë me të edhe i viktimave, është duke u rritur.
LDK-ja, nëpërmjet këtij skenari të rrezikshëm, dështoi ta mbajë të fshehur të vërtetën e hidhur për mënyrën si funksionon. U deshën vetëm dy muaj që ajo ta përmbysë idenë e ndryshimit. Jo ndryshimit se në qeveri po vjen për herë të parë Vetëvendosja apo se asaj po i bashkohet LDK-ja, që më së shumti mbahet mend për pushtet, porse po i jepej fund pushtetit më abuzues të pasluftës.
U deshën dy muaj për të kuptuar, se LDK-ja e kapur, me ndryshim e ka kuptuar ardhjen e saj nga opozita në pushtet, e jo se vendit i duhet një vizion i ri udhëheqjeje – se kësaj here nuk është votuar për ta forcuar partinë por shtetin, se nuk është votuar për të mbrojtur individë, por interesin e qytetarëve.
LDK-ja e humbi shansin për t’u distancuar nga e kaluara e saj. Shansin që të dalë nga rreshti i partive që në shtete demokratike do t’u ndalohej veprimtaria meqë përbëjnë rrezik për sigurinë e shtetit.
Dëshmoi edhe këtë herë se nuk ka vija të kuqe me askënd përveç me Vetëvendosjen. Afërsinë me të e përdori për të dalë fituese e zgjedhjeve, e pastaj duke e fajësuar për jokonstruktivitet të heqë dorë nga ajo e të futet në shtratin e PAN-it.
Ajo dëshmoi atëherë se nuk e ka problem as PDK-në, partinë që për formalisht kryetar ka Kadri Veselin e lider të vërtetë Hashim Thaçin. Dëshmoi se “vrasjet politike” i përdor për mobilizim në fushatë zgjedhore – po të mos ishte kështu nuk do të kishin kaq shumë partneritete e bashkëqeverisje.
LDK-ja e kapur e e shantazhuar, pas mocionit, në vend që të mbajë distancën me VV-në, por më shumë me PAN-in, iu kthye partnerëve që për afro tre vjet qeverisje do të mbahen mend si koalicioni më i dëmshëm i pasluftës. Iu kthye me aq entuziazëm partive politike që kanë më shumë skandale sesa ditë në pushtet. Iu kthye subjekteve që qeverinë dhe institucionet nuk i kanë keqpërdorur, por i kanë privatizuar. Subjekteve që për dy vjet ia humbën afro 15 njohje Kosovës, ani që afirmimi ndërkombëtar do të duhej të ishte prioriteti kryesor i institucioneve të Kosovës. Iu kthye koalicionit që me vendimin e parë pas shtatë ditësh pune e përjashtoi Kosovën nga dy institucione evropiane për vlerësimin e arsimit të lartë, e që dështoi të anëtarësohet në institucione ndërkombëtare, madje me votë kundër nga shtetet që i konsiderojmë vende mike.
U është bashkuar subjekteve që ndërmarrjet publike i kanë shndërruar në miniera që sapo u shteren resurset i bëjnë rrafsh me tokë dhe i shesin për 3 euro. Subjekteve që kanë njohur gjithçka tjetër përveç ligjit.
Por, LDK-ja ka vetëm një shans të vogël, jo për t’u rehabilituar se kjo do të ndodhë kur ajo të çkapet, por të mos mbahet mend në histori si katalizatori i krizës së shumëfishtë me të cilën përballen qytetarët, më të rëndën pas luftës, që mori jetën e afro mijëra shqiptarëve. Sot nuk ka fitues, as ata që janë në detyrë e as në opozitë. Sot ka luftë për jetë a vdekje.