Kryetari i AAK’së: Kryeministër Kurti, nuk do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës sepse ju jeni joserioz, anti-institucional dhe mashtrues

E publikuar: 18/04/2020 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka kthyer përgjigjen kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për t’iu bashkangjitur një takimi ku do të flitej për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Haradinaj ka bërë të ditur se do ta refuzojë këtë ftesë, duke bërë të ditura edhe arsyet e tij për këtë gjë.

Në letrën e nisur sot, Haradinaj ia ka përmendur Kurtit refuzimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për arsye të luftës politike të tij.

Haradinaj ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme do të mobilizonte të gjitha resurset e vendit në shërbim të përballimit të krizës. Por sipas tij, Kurti ka ndjekur hapa të gabuar dhe ka shkelur Kushtetutën e vendit në mënyrë recidive.

Ai ka thënë se nuk do të marr pjesë në takimin e thirrur, ngase ftesat e Kurtit janë të vona në kohë dhe të përcjella nga një mungesë legjitimiteti institucional dhe demokratike.

Letra e plotë e Haradinajt:

“I nderuar Kryeministër në detyrë, z. Albin Kurti,

Si përgjigje në shkresën tuaj të datës 17.04.2020, më lejoni që të theksoj se tani e një kohë kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga Qeveria e shkarkuar, që Ju e udhëheqni, deri në krijimin e Qeverisë së re.

Paraprakisht, ua bëjë me dije se, ne vazhdimisht kemi qenë të zëshëm dhe në përkrahje të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, dhe ishte befasuese qasja juaj paranoike, e nxitur nga lufta politike, e cila ka vënë në rrezik të plotë shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Gjendja e jashtëzakonshme do të mobilizonte të gjitha resurset e vendit, duke përfshirë kapacitetet e nevojshme njerëzore, ekspertizën gjithëpërfshirëse si dhe resurset relevante për menaxhimin e nevojshëm, efektiv dhe të suksesshëm ndaj pandemisë COVID-19.

Për më tepër dhe si konfirmim i hapave tuaj të gabuar, kam shprehur mospajtimin tim me masat dhe vendimet tuaja për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe lirive tjera themelore të cilat edhe Gjykata Kushtetuese i gjeti si jokushtetuese.

Veprimet tuaja si shkelës recidivist i Kushtetutës me ridefinimin dhe vazhdimin e marrjes së vendimeve, që kufizojnë liritë dhe të drejtat themelore, janë duke e dëmtuar rëndë demokracinë, duke cenuar thellësisht të drejtat e njeriut, si dhe ligjshmërinë e kushtetutshmërinë në Republikën e Kosovës.

Të kujtoheni, që pas më shumë se një muaj e gjysmë gjendje emergjente, të thërrisni tryezë debati lidhur me pandeminë, me akterë institucionalë dhe përfaqësues të partive politike parlamentare, është dëshmi e qartë se ju jeni joserioz, anti-institucional dhe mashtrues. Për më tepër, pas shkarkimit me mbi 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju nuk e keni as legjitimitetin e nevojshëm për përgjegjësitë që ju pretendoni t’i ndërmerrni në përgjithësi.

Qasja dhe trajtimi me vendimet tuaja në raport me fushën e ekonomisë ka kufizuar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e qindra bizneseve që i përkasin sektorit të ndërtimit, prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. Joserioziteti juaj shpërfaqet edhe në dokumentet zyrtare, në të ashtuquajturin plan për “shpëtim ekonomik”, ku keni paraparë lehtësime në rritjen e gamileve dhe deveve, kultivimin e frutave tropikale dhe subtropikale, ndërtimin e anijeve dhe barkave dhe prodhimin e aeroplanëve dhe anijeve kozmike. Kjo është joserioze dhe një shaka me dashje në llogari të qytetarëve dhe operatorëve ekonomik në vend.

Ftesat tuaja për koordinim e bashkëveprim pas vendimeve të njëanshme që po rezultojnë të dëmshme e të dështuara, ju janë shndërruar në ritual lutje për falje dhe shpëtim. E dëshmove edhe në rastin kur hoqe taksën ndaj Serbisë pa asnjë nder e kundërvlerë, pa e përfshirë donacionin e djeshëm me 1000 teste serbe në formë lëmoshe, duke e nënçmuar Kosovën për paaftësi në raport me furnizimin e ligjshëm dhe të mundshëm në kohë përmes blerjeve të drejtpërdrejta apo donacioneve nga shtetet mike të vendit tonë.

Përderisa ftesat tuaja janë të vona në kohë e në raport me zhvillimin dhe nuk janë të kualifikuara me legjitimitet institucional e poltik, me kënaqësi ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë asnjëherë në tryezat e tilla”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se ka ftuar të hënën në një takim Presidentin Thaçi dhe të gjithë liderët e partive politike.

Takimi është planifikuar për të hënën në orën 10:00, dhe pritet që të diskutohet për situatën pandemike në vend.

“Nëse janë të gjithë kundër coronavirusit, atëherë do të duhej të vinin në takim”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/