2000 teste të reja për COVID-19 në IKSHP

E publikuar: 18/04/2020 12:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

2 mijë teste për COVID-19 sot kanë arritur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, raporton Express.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai shkurt ka thënë se testet bashkë me material shpenzues janë dorëzuar sot në IKSHPK.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar mbrëmë se nga testimi i 209 mostrave të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore, kanë rezultuar të infektuar 31 persona.

Sipas IKSHP’së, rastet e konfirmuara mbrëmë janë nga Ferizaj, Vitia, Prishtina, Fushë Kosova, Skënderaj, Shtimja, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: dhjetë (10) raste Ferizaj, tre (3) raste Mirash, një (1) rast Mirosal dhe një (1) rast Kosinë), nëntë (9) raste nga komuna e Vitisë ( sipas vendbanimit: tre (3) raste Viti, tre (3) raste Gushicë dhe tre (3) raste Pozharan), dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Miradi e epërme-Fushë Kosovë, Skenderaj, Vojnovc-Shtime, Sllatinë-Leposaviq dhe Zubin Potok”, thuhet në njoftim.

Me rastet e konfirmuara mbrëmë, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 480.

Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.

Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.

Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.

Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.