Sot pasdite Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Në këtë bisedë telefonikë, Kurti i ka kërkuar Lajçakut që ndërkohë ta bindë palën serbe që ta braktisë idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe të Serbisë, njofton Klan Kosova.
Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të dërguar nga Zyra e Kryeministrit:
Sot pasdite Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, pati një bisedë telefonike me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor, z. Miroslav Lajčák.
Fillimisht z. Kurti e informoi z. Lajčák për situatën me sëmundjen COVID-19 në Republikën e Kosovës, si dhe për masat që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë, e të cilat po respektohen maksimalisht nga qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi, z. Lajčák e informoi z. Kurti se ai aktualisht është duke analizuar marrëveshjet e deritanishme në mes të Kosovës e të Serbisë, si dhe duke zhvilluar biseda me palët që do të jenë të përfshira në këtë proces.
Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës aktualisht është e fokusuar në luftën kundër COVID- 19, në të cilën luftë tani duhet të jenë bashkë të gjitha partitë politike pozitare e opozitare në Kosovë. Po ashtu, z. Kurti kërkoi nga z. Lajčák që ndërkohë ta bindë palën serbe që ta braktisë idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se do të jenë në kontakt permanent dhe që, sapo të tejkalohet situata me COVID-19, ta nisin dialogun Kosovë-Serbi.














