Para konsultimeve me partitë rreth krijimit të Qeverisë, Thaci takon ambasadorët e QUINT-it

E publikuar: 30/03/2020 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaci ka shtyrë paksa takimet konsultative me partitë politike, që i pati paralajmëruar për sot. Ato pritet të mbahen gjatë ditës së nesërme.

Kjo po ndodhë prë shkak se, sic thotë Zyra e President, Kuvendi i Kosovës është vonuar që zyrtarisht ta njoftojë Presidentin për votimin e mocionit të mosbesimit

“Njoftimi nga Kuvendi ka ardhur të premten në fund të orarit të punës dhe për këtë ka qenë e pamundur që të ftohen për të hënën në konsultime përfaqësuesit e partive parlamentare. Ata do të ftohen nga presidenti në ditët e ardhshme për konsultime”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Ndërkohë, i pari i vendit ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Ata janë parë teksa futen në pjesën e Presidencës që ndodhet në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Ky takim me ambasadorët nuk është paralajmëruar fare, ndërkaq takimet me disa prej partive tanimë janë të konfirmuara. LDK, AAK e Nisma janë deklaruar se do të shkojnë në konsultime tek Presidenti Thaci, ndërkohë që PDK nuk ka dhënë përgjigje pa marrë ftesë zyrtare. Lëvizja Vetëvendosje edhe publikisht e ka refuzuar një takim të tillë.

Për këtë të fundit, nisja e takimeve për një qeveri të re është jokushtetuese pasi, sic thonë ata, votimi i mocionit të mosbesimit nënkupton që vendi të shkojë në zgjedhje. Kreu i kësaj partie, tani kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i bëri thirrje presidentit që të mendojë për datën e zgjedhjeve.