Ismajli: Qytetarët e Gjilanit të qëndrojnë maksimalisht në shtëpi dhe njëkohësisht të shmangin daljet në ambient të hapur

E publikuar: 20/03/2020 11:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Komunën e Gjilanit sot është mbajtur takimi i Qendrës Operative Emergjente e themeluar për përballimin e përhapjes së coronavirusit.

Është konstatuar se strukturat menaxhuese të situatës për parandalimin e përhapjes së virusit janë në funksionim të plotë dhe po punojnë sipas planit të punës.

Nga takimi është apeluar njëzëri që qytetarët të qëndrojnë maksimalisht në shtëpi dhe njëkohësisht të shmangin daljet në ambient të hapur konkretisht tek Liqeni i Përlepnicës dhe Livocit, në parkun e Stanishorit, nëpër parqet e qytetit etj.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit dhe shef ekzekutiv i QOE sipas detyrës, ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që të respektojnë maksimalisht rekomandimet e dhëna për parandalimin e coronavirusit dhe njëkohësisht edhe mbrojtjen e ambientit.

“Apeli po bëhet me qëllim që Gjilani të mbrohet nga koronavirusi Covid19 dhe njëkohësisht edhe të shmangen zjarret që në këto ditë kanë shënuar rritje të madhe. Të gjitha institucionet janë në gjendje gatishmërie dhe monitorimi i situatës në përgjithësi deri më tani është nën kontroll. Deri sot nuk ka raste të konfirmuara të qytetarëve të prekur me këtë virus. Të gjitha pikat kufitare është konfirmuar se janë në monitorimin 24 orë me ekipet profesionale të QKMF−së të Policisë dhe mbështetja e vazhdueshme që është duke u dhënë edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, Spitali Regjional dhe të gjithë akterët e përfshirë në këtë ekip, për të kontrolluar të gjithë qytetarët që futen në territorin e Gjilanit nga Maqedonia Veriore dhe nga Serbia”, ka thënë nënkryetari Ismajli.