Lista Serbe tha sot se Prishtina po përpiqet të sistemojë Forcat e Sigurisë në veri të Kosovës me pretekstin e mbrojtjes së qytetarëve, por me qëllim “të okupimit të qetë të komunave serbe”, citon agjencia serbe e lajmeve Tanjug kreun e kësaj partie, që është pjesë e Kuvendit të Kosovës, transmeton Koha.net.
Lista Serbe thekson se me gjithë situatën e re të krijuar nga pandemia e koronavirusit, refuzon vendosmërisht qëllimin e fshehtë të Prishtinës që të sistemojë në veri të Kosovës forcat ushtarake.
“Si përfaqësues legalë e legjitimë të popullit serb i bëjmë thirrje komandës së KFOR-it që me urgjencë të pengojë dhe të hedhë poshtë mundësinë e vendosjes së formacioneve ushtarake të Prishtinës në veri të Kosovës dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjen që garanton se këto formacione nuk mund të vendosen në katër komunat veriore”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe, transmeton Koha.net.
Lista Serbe shton se kjo përpjekje perfide për cenimin e paqes nuk guxon të tolerohet në asnjë mënyrë dhe se nuk do të përkrahet prej tyre si përfaqësues politikë, por as nga populli serb në tërësi, i cili këtë akt e konsideron armiqësor.
“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të hedhë poshtë vendosmërisht këto paralajmërime, ndërsa shtetit tonë Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq që në komunikimet me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë që të reagojë ndaj paralajmërimit të Thaçit, që ka shkaktuar shqetësim të madh ndër qytetarët tanë, të cilët edhe ashtu janë nën tension për shkak të pandemisë së koronavirusit”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Koha.net rikujton se presidenti Thaçi thotë se ka dekretuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të pandemisë së koronavirusit, por Kurti nuk pajtohet me këtë.