Sigurohen 100 shtretër për pacientë potencialë me koronavirus, zbrazen dy klinika të QKUK’së

E publikuar: 17/03/2020 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shtuar nivelin e gatishmërisë në rast nevojë për t’u përballur me situatën me koronavirusin Covid-19.

QKUK ka larguar të gjithë pacientët nga Klinika e Dermatologjisë dhe asaj të Mushkërive, duke i vënë në funksion të klinikës Infektive në rast se ka nevojë për hospitalizim të pacientëve të prekur nga koronavirusi.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i QKUK-së Dr. Basri Sejdiu në një deklaratë për Gazetën Shneta.

“Është zbrazur në tërësi Klinika e Dermatologjisë dhe Pulmologjisë, me qëllim të sigurimit të 100 vendeve shtesë për trajtim të pacientëve me Covid-19. Pacientët e pulmologjisë që kanë gjendje më të rënduar, barten përkohësisht në Klinikën e Alergologjisë me Imunologji”, ka deklaruar Sejdiu.

Kujtojmë se në Kosovë deri më tani zyrtarisht janë të prekur 16 persona nga koronavirusi. Momentalisht të gjithë pacientët janë në gjendje të mirë, përveç të moshuarit 77-vjeçar i cili ka simptoma të rënduara.