Në Twitter ka vazhduar të diskutohet çështja e tërheqjes apo jo të trupave amerikane nga Kosova.
Kjo masë është paralajmëruar të jetë një nga sanksionet që Amerika do të marrë ndaj Qeverisë së Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj mosheqjes së plotë të taksës, raporton KOHA.
Propozimin e bërë të martën nga senatori David Perdue e ka përkrahur edhe një tjetër amerikan.
Bëhet fjalë për senatorin Rand Paul, i cili e ka shpërndarë deklaratën e Perdues me një koment shtesë.
“Unë mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. E inkurajoj Kosovën që të kthejë një faqe dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Është koha për t’i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vjetësh atje …”, ka shkruar Paul.
Mirëpo, tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova e ka kundërshtuar ish-komandanti i forcave amerikane për Evropën.
Ben Hodges ka thënë se një vendim i tillë do të ishte gabim.
“Do të ishte gabim… KFOR-i është shtylla e vetme e stabilitetit në rajon. Tërheqja e tyre tani, para se të zbatohen marrëveshjet, do të ishte njëjtë me tërheqjen e startuesve në mesin e çerekut të katërt, pak para se të kalojë në epërsi”, ka thënë ai duke tërhequr paralele me ndeshje basketbolli.
Me gjithë paralajmërimet amerikane, kryeministri Albin Kurti ka thënë se SHBA-ja është “aleati i vetëm dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës”
Tërheqja e trupave amerikane është përkrahur edhe nga i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.