Autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, karrierën në gazetari pritet ta vazhdojë në Klan Kosova. Atje shkon në vend të Baton Haxhiut. Drejtori i ri i Klan Kosovës e ka braktisur kompaninë e Veton e Flaka Surroit për të shkuar te pronarët e rinj nga Peja. Tash shef i Kelemendit do të jetë Shkëlqim Devolli.
Gazetari Adriatik Kelmendi, pronar i dy kompanive të marketingut “Kelmedia” dhe “ProCon Group L.L.C”, duket se ka vendosur ta vazhdojë karrierën në kompaninë e Shkëlqim Devollit.
Në një prononcim për Express, ai ka thënë se është ende ne negociata. Nuk e ka mohuar mundësinë e kalimit në televizionin që ka mbushur në shkurt 11 vjet.
“As nuk mund ta pohoj, as mohoj. Kam ofertë. Por, asgjë s’është definitive”, ka thënë Kelmendi, për Express, të dielën.
Në ditët e ardhshme pritet të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së Drejtorit të Klanit.
Autori i emisionit “Rubikon” pasi ishte larguar nga pozita e Kryeredaktorit në KTV kishte vazhduar të mbante emisionin në këtë televizion si produksion i jashtëm.
Nuk ishte larguar nga KTV’ja pasi Kelmendi ka pasur afërsi me themeluesin e Kohës, Veton Surroin, i cili ka shkuar për t’u intervistuar në shumicën e herëve në “Rubikon”.
Gazetari i ardhur nga Peja në Prishtinë pritet të vazhdojë karrierën pikërisht te media që lidhet me biznesmenin dukagjinas, Shkëlqim Devollin, i cili ka në pronësi Klan Kosovën.
Kjo lëvizje e Kelmendit ka ardhur pasi Baton Haxhiu u largua nga Klan Kosova ku ka ushtruar pozitën e Drejtorit dhe themeluesit të televizionit.
Ende nuk është sqaruar deri në fund nëse largimi i Haxhiut lidhet me përfundimin e kontratës apo me faktin se drejtori i deridjeshme i televizionit kishte prishur punët me Vetëvendosjen, anëtarët e së cilës refuzojnë të shkojnë në Klan.
42-vjeçari nisi karrierën në gazetari në Koha Ditore. Në moshën 21 vjeçare ishte bërë redaktor i rubrikës së kulturës ndërsa dy vjet më vonë redaktor përgjegjës i gazetës. Shkollimin për gazetari e ka filluar në Tiranë. Një specializim e ka përfunduar në Britani të Madhe. Aktualisht është edhe ligjërues në një universitet privat.
Klan Kosova në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron se është në pronësi të “Seine group”.