Përgjigjet Ministri Reka: PDK, nuk e kërkuan dorëheqjen e Presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time

E publikuar: 08/03/2020 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Integrimeve Europiane, Blerim Reka, e ka quajtur të pandershme kërkesën e PDK’së për dorëheqjen e tij pas deklaratave se Serbisë duhet lejuar një korridor për daljen në detin Adriatik.

Reka ka thënë se pandershmëria e atyre që po ia kërkojnë dorëheqjen lidhet me mungesën e guximit të tyre që të njëjtën t’ia kërkojnë Hashim Thaçit për negociatat sekrete për ndarjen e Kosovës.

“Më duket e pandershme qe ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e Presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time”, ka shkruar Reka, në një reagim në Fb.

Reka kishte thënë se Kosova duhet t’i lejojë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik.

Ai ka thënë se gjithë kjo ishte një ide e tij e jo qëndrimi Kurtit dhe Qeverisë.

“Kjo është e tëra, as nuk është vendim, as qëndrim i qeverisë, por një mendim i imi personal dhënë në pyetjen konkrete për një çështje konkrete. Asgjë më tepër”, ka shtuar ai.

Reka ka thënë se mbron qëndrimin e kryeministrit Kurti për reciprocitet me Serbinë si parim i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve tona të ardhshme.

“Gjithçka tjetër vjen në shprehje vetëm më vonë, vetëm më pas”, ka shtuar ai,

Sot PDK përmes një konference për media ka kërkuar dorëheqjen e Blerim Rekës. Kërkesën e ka parashtruar Migjnen Kelmendi, i cili ka thënë se Reka duhet të largohet nga Qeveria.