Diplomacia parlamentare në ndihmë të politikës së jashtme

E publikuar: 07/03/2020 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Diplomacia parlamentare, njihet si një instrument i rëndësishëm i politikës së jashtme të një vendi dhe formë alternative, plotësuese e diplomacisë.

Me pjesëmarrjen aktive të anëtarëve të Kuvendit në forumet dhe aktivitetet e ndryshme ndërkombëtare, ata mund të kontribuojnë në përfaqësimin e interesave të shtetit në fushën ndërkombëtare.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, Time Kadrijaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se komisioni ende nuk e ka planin e punës, pasi qeveria ende nuk e ka sjell plan-programin në Kuvend. Megjithatë, diplomacia parlamentare, thotë ajo, duhet jetë e koordinuar dhe të ketë fokus njohjet e reja për vendin.

“Ne do të mundohemi t’i harmonizojmë punët dhe nuk do të ndalemi. Qëllimi kryesor është të kërkojmë nga vendet mike që janë në Bashkimin Evropian që të ndikojnë te pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por, edhe lobimi në shtetet e tjera që në rast të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, ta ketë edhe përkrahjen e tyre”, tha Kadrijaj.

Diplomacia parlamentare nuk është dyfishim apo zëvendësim i diplomacisë qeveritare tradicionale, por përmes mjeteve të saj kontribuon në kapacitetet më të mira avokuese të vendit. Deputetja Kadrijaj thotë se në këtë drejtim duhet të punohet bashkërisht për të mirën e vendit.

“Ne si komision krejt çka mund të bëjmë është të mundohemi që përmes diplomacisë parlamentare të shtrijmë ndikimin në sferën ndërkombëtare në mënyre që Kosova të përfaqësohet me dinjitet si dhe të kërkohen njohje, të kërkohet liberalizimi i vizave, të kërkohet anëtarësimin në organizata të ndryshme”, tha ajo.

Shtetësia e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar vazhdon të jetë e kontestuar nga Serbia dhe Rusia, të cilat po zbatojnë një fushatë të koordinuar për pengimin e njohjeve të reja dhe çnjohjen e Kosovës nga disa vende që tashmë e kanë njohur atë. Veprimet e tilla sidomos ato të Serbisë, vlerësohet se kanë ndikuar që disa shtete të vënë në dyshim vendimet e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe kanë dëmtuar përpjekjet e Kosovës për integrim në iniciativa rajonale dhe ndërkombëtare.

Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se diplomacia parlamentare ka një rol të theksuar në zbatimin e politikes së jashtme.

Sipas tij, puna e Komisionit për punë të jashtme dhe diasporë duhet të jetë më e madhe se që ka qenë deri tani.

Ai thotë se deputetët përmes grupeve të miqësisë dhe grupeve parlamentare mund të depërtojnë edhe në vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Deputetët apo Komisioni në fjalë, kanë mundësi që të qasen në një mënyrë realisht në institucionet e tjera ku disa institucione nuk mund ta bëjnë. Ata duhet të punojnë ngushtë me akademinë diplomatike, por edhe me Ministrinë e Jashtme në mënyrë që t’i kenë realisht kapacitet e duhura për të zbatuar një politikë të jashtme në linjë me prioritet që janë, e që deri tash kanë munguar”, tha Berisha.

Berisha konsideron se momenti në të cilën ndodhet Kosova, edhe politika e jashtme duhet të ketë një diplomaci parlamentare aktive dhe shumë-dimensionale.

“Deputetët e Kuvendi të Kosovës duhet të kenë një intensifikim të rolit të miqësisë dhe një rol të shtuar të tyre në përfaqësimin e politikës së jashtme në përgjithësi”, tha Berisha.

Krahas ndihmës që politika e jashtme e Kosovës, mund të marrë nga diplomacia parlamentare, po në funksion të mbështetjes së Kosovës në planin ndërkombëtar, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar një marrëveshje për zbatimin e përbashkët të politikës së jashtme duke përfshirë edhe themelimin e misioneve të përbashkëta diplomatike.