Oda Ekonomike Amerikane ka reaguar për diskursin e përdorur ditëve të fundit lidhur me taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Përmes një komunikate për media është thënë se Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me diskursin e ditëve të fundit rreth tarifës që Republika e Kosovës i ka vendosur dy shteteve të Ballkanit Perëndimor,raporton Lajmi.net.
“Barrierat tarifore që shtetet e këtij rajoni i vendosin njëra tjetrës, pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve, e rrjedhimisht ngadalsojnë avancimin e rrugëtimit të tyre euro-atlantik. Në këtë aspekt shfuqizimi pa kushte i vendimit për tarifën në përputhje me kërkesën e Presidentit Trump, Sekretarit të Shtetit Pompeo, zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës amerikane, si dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, është i një rëndësie imperative, si dhe dëshmi e përkushtimit për marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.
Oda Amerikane rikujton institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe hisedarët e tjerë politik e shoqëror se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në lirinë, pavarësinë dhe forcimin e shtetit të Kosovës, përmes investimeve të vazhdueshme për fuqizimin e ekonomisë, drejtësisë, qeverisjes demokratike dhe mbrojtjes e sigurisë.
Një numër i kompanive amerikane kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit në sektorë si ndërtimtaria dhe patundshmëria, energjia, shëndetësia, dhe teknologjia e informacionit. Në anën tjetër, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ofron Kosovës mbështetje direkte përmes Agjencisë së saj për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) si dhe Fondacionit të Sfidave të Mijëvjeqarit (MCC), ndërsa prodhuesit nga Kosova kanë mundësinë të eksportojnë mbi 3,500 produkte pa doganë në Shtetet e Bashkuara përmes Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave (GSP).
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontribuesi më i madh në forcat e KFOR-it, duke garantuar një mjedis të sigurt dhe liri për qytetarët e Kosovës, e që rrjedhimisht është edhe garanci e stabilitetit dhe sigurisë për investitorët e huaj. Në anën tjetër, Garda Nacionale e Ioëas vazhdon të ofrojë mbështetje për Forcën e Sigurisë së Kosovës në kuadër të partneritetit afatgjatë, duke ndihmuar Kosovën të kontribuojë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal”, thuhet tutje aty.
Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane përsërit qëndrimin e saj për mbështetjen e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e linjës ajrore, hekurudhore si dhe për investimet në infrastrukturën rrugore, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur besimin e fuqishëm se heqja e tarifës hap rrugën për një marrëveshje përfundimtare të paqes që do të rezultonte në njohje reciproke, tregti pa barriera dhe fuqizim të lidhjeve ekonomike, të cilat në anën tjetër do të përmirësonin perceptimin për të dy shtetet në sytë e investorëve amerikanë dhe të tjerë të huaj.