Përkundër përkushtimit të SHBA-ve, roli i BE-së në dialog mbetet i njëjti

E publikuar: 05/03/2020 16:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar punën për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Javëve të fundit ata kanë shfaqur një interesim më të madh në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje mes të dyja vendeve.

I dërguari i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell vazhdimisht është duke iu bërë thirrje institucioneve kosovare që të heqin taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut.

Me ndërmjetësim të Grenell, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq janë takuar të hënën në Uashington ku kanë diskutuar për të dyja vendet. Vuçiq e ka përsëritur qëndrimin e tij se pa heqje të taksës nuk do të rikthehen në dialog.

Presioni i SHBA-ve për ta hequr taksën dhe për t’i kthyer të dyja palët në tavolinën e bisedimeve nuk ka qenë kurrë më i madh.

Përkushtimi i madh i Amerikës, ka lënë nën hije Bashkimin Evropian. Në media është raportuar se nga këta të fundit nuk po shfaqet më angazhimi i mëparshëm për çështjen e dialogut.

Peter Stano, zëdhënës i përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë për lajmi.net se roli i BE-së për këtë çështje nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti.

“Dialogu është diçka që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka vija dhe vendime që qartë e definojnë rolin e BE-së dhe përfaqësuesit të lartë në avancimin dhe lehtësimin e dialogut. Roli i tij nuk ka ndryshuar dhe përkushtimi i Josep Borrell është shfaqur edhe në vizitat e tij të fundit në Kosovë dhe në Serbi. Ai ka njoftuar të dyja palët se është shumë e rëndësishme që ta shtyjmë dialogun përpara, sepse statusi aktual nuk është i kënaqshëm dhe kur vjen fjala e marrëveshjeve, ne i mirëpresim çdo lloj marrëveshje që i afron palët andaj ne i përshëndesim marrëveshjet e fundit për trafikun ajror dhe hekurudhor sepse janë hapa që afrojnë tek normalizimi i raporteve”, ka thënë Stano për lajmi.net.

Ai ka theksuar se roli i BE-së është mjaft përmbajtësor, pasi po iu ndihmojnë të dyja palëve të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

“Roli i BE-së është mjaft përmbajtësor, ne i ndihmojmë të dyja palët që të kthehen tek tavolina e negociatave, të krijojnë kushtet për lëvizje përpara dhe siç ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë në vizitën e tij të fundit në Prishtinë, ne kemi investuar 1 miliard euro veçanërisht në Kosovë andaj kjo është diçka e qartë nëse i llogarisni edhe deklaratat dhe punën e vërtetë në terren po ashtu edhe rezultatet sa i përket implementimit pastaj e shihni se roli i BE-së është shumë, shumë i fortë”, ka shtuar Stano.

Gjatë takimit në Uashington, Vuçiq ka theksuar se SHBA-të nuk i kanë kërkuar Serbisë ndonjë lëshim në këmbim të heqjes së tarifës. Ndërsa, qeveria kosovare përkundër presionit, nuk po ndërmerrë masa për ta hequr taksën pasi po deklarojnë se Serbia nuk po e ndalë lobimin kundër Kosovës.