Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë sot askush nuk mund ta cenojë aleancën ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kurti në fjalimin para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët parakaluan me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se është interes jetik dhe strategjik i Kosovës aleanca e përhershme me SHBA-të.
Sipas tij, kjo aleancë tejkalon interesat e ngushta dhe të përkohshme sepse SHBA-të dhe Kosova ndajnë aspirata të përbashkëta për një shoqëri të lirë dhe të hapur, të bazuar në të drejtat e njeriut, në ekonomi të tregut dhe barazi në mundësi, raporton Telegrafi.
“Është interes i yni strategjik e jetik aleanca e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo aleancë tejkalon interesat e ngushta dhe të përkohshme sepse ndajmë aspirata të përbashkëta për një shoqëri të lirë dhe të hapur, të bazuar në të drejtat e njeriut, në ekonomi të tregut dhe barazi në mundësi. Këtë aleancë nuk mund të cenojë dhe të prish askush. Por Shtetet e Bashkuara e duan një Kosovë të fortë dhe të pavarur, që avancon demokracinë dhe i kontribuon paqes në rajon, që mbron dhe avancon interesat e saj”, tha Kurti.