Presidenti Hashim Thaçi nuk i ka ndalur veprimet e tij për ta penguar punën e Gjykatës Speciale. Kjo dëshmohet nëpërmjet një shkëmbimi të letrave që ka pasur me Sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo.
KOHA ka siguruar letrën që Pompeo ia ka kthyer Thaçit në prag të 12 vjetorit të pavarësisë. Duke iu përgjigjur “shqetësimit” të Thaçit, në letrën që mban datën 29 nëntor, Pompeo e njofton atë me pasojat që do t’i vuante Kosova nëse e pengon punën e Speciales.
“Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën; do të vihej në dyshim përkushtimi i Kosovës në sundimin e ligjit; mohohet drejtësia për viktimat; dhe e mjegullon të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes Euro-Atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar. Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyll këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ia mundësuar Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës…”, shkruan mes tjerash në letrën e Pompeos dërguar Thaçit.
Aty përmenden edhe pretendimet që dalin nga raporti i Dick Martyt, sipas të cilave ish-Drejtori Politik i UÇK-s Thaçi ka qenë në krye të grupit kriminal nga Drenica.