Kurti: Rinia është kapital njerëzor që mund dhe duhet të kthehet në kapital ekonomik

E publikuar: 03/03/2020 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në Kuvendin e XII- të anëtarëve të Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës – STIKK.

Para të pranishmëve, Kurti tha se teknologjia na lidhë dhe na ofron mes vete dhe krijon mundësi aty ku nuk ishin më parë, njofton Klan Kosova.

Kurti tha se jetojmë në epokën kur koha po dominon mbi vendin, ku shpejtësia po ia kalon hapësirës.

“Është mëkat që kanë kaluar 20 vite pa investimet e duhura dhe pa vëmendjen e duhur të shtetit për të krijuar këtë kapital njerëzor. Rinia jonë ka shkathtësitë teknologjike për të bërë analiza komplekse të të dhënave dhe për të zhvilluar uebsajte, por mungojnë investimet e duhura të cilat e lidhin tregun e punës me edukimin e rinisë. Rinia jonë flet disa gjuhë, ato që të gjitha kryesoret në Bashkimin Evropian, kurse vendi ynë ndodhet në top 10 të Raportit “Të Bërit Biznes” i Bankës Botërore. 96% e familjeve në Kosovë janë të lidhur në internet, dhe 81% e përdorin internetin për çdo ditë” tha Kurti.

Kurti mes tjerash tregoi se në programin e qeverisës, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) përbën kapitull të veçantë në zhvillimin e ekonomisë. Janë disa hapa që kemi paraparë në programin qeverisës, të cilët janë diskutuar në një draft të tij për ta përmbyllur e për ta prezantuar së shpejti në Kuvend, të shtunën që shkoi, dhe unë po i përmend disa prej tyre:

ofrimi i trajnimeve për mësimdhënës në mënyrë që ata t’u përshtaten trendeve të teknologjisë dhe kërkesave të tregut;

themelimi i qendrave të teknologjisë me infrastrukturë të qëndrueshme dhe tërheqëse për kompanitë ndërkombëtare dhe vendore;

zhvillimi i politikave stimuluese për mbështetjen e teknologjisë së informimit dhe komunikimit, sidomos në rastin e kompanive të reja (“start-up”), por edhe atyre ekzistuese;

miratimi i standardeve ndërkombëtare përkatëse të TIK-ut për institucionet publike dhe bizneset.