Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq deklaroi se Serbia nuk guxon të heqë dorë nga e drejta mbi Kosovën dhe shtoi se shteti nuk do të pranojë ultimatume e shantazhe. Kështu u shpreh ai gjatë një ceremonie në qytetin Kralevë, me rastin e 30-vjetorit të themelimit të kësaj partie, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta, transmeton Koha.net.
“Ata po presin që ne të pushojmë së luftuari për Kosovën, që ta pranojmë si shtet të pavarur që i përket shqiptarëve. Ne njëmend jemi për dialog, jemi për kompromis, por duhet të themi në emër të SPS-it, të Serbisë unike, bashkë me (presidentin e Serbisë Aleksdandar) Vuçiqin, do të rezistojmë çfarëdo presioni. Ne me siguri nuk do të pranojmë ultimatume e shantazhe nga se ne nuk kemi atdhe tjetër as popull tjetër”, ka thënë Daçiqi.
Ai me këtë rast paralajmëroi se aktivitet i tij i ardhshëm në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Serbisë do të jetë udhëtimi në Afrikë, ku me një shtet, të cilit nuk deshi t’ia përmend emrin, do të negociojë rreth tërheqjes së njohjes për pavarësi të Kosovës, e citojnë Daçiqin mediat serbe, transmeton Koha.net.