Lidhur me njoftimin e kryeministrit të vendit, Albin Kurti për tarifën ndaj produkteve serbe, ka reaguar sot Zyra e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Josep Borell.
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur njoftimin se Kosova do të heqë tarifat për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të enjten se Kosova do të heqë tarifat për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe mezi presim të shohim më shumë detaje”, thuhet në reagimin e Zyrës së Borellit.
“Ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet më tej, raporton Telegrafi.
Në reagimin për media thuhet se deri tani është humbur shumë kohë.
“Është humbur shumë kohë. Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që dialogu të rifillojë, në dobi të të dyjave. Përfaqësuesi i Lartë, Presidenti Josep Borrell është i gatshëm të luajë rolin e tij si lehtësues i dialogut në emër të BE-së”, thuhet më tej në reagim.
Derisa Bashkimi Evropian ka mirëpritur njoftimin e Kurtit për tarifën, i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell përmes një shkrimi në Twitter, nuk e ka mbështetur Kurtin, duke thënë se pozicioni i SHBA-së është i qartë, tarifa duhet të largohet tërësisht.
Ndryshe, Kurti të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se më 15 mars taksa do të largohet pjesërisht, ndërsa nëse nuk vepron Serbia dhe BE-ja, taksa rikthehet sërish 100 për qind me 15 qershor.